Mediat nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina e Serbia kanë raportuar për urdhër arrestin që Serbia ka lëshuar ndaj gazetarit të njohur dhe Drejtorit të Sportit në Art Motion, Arlind Sadikut.
Media në BeH, SportSport.ba, thotë se Sadiku u gjend i vetëm përballë 10 mijë tifozëve serbë, por në fund, ai doli triumfues.
“Ai qëndronte vetëm përballë 10,000 tifozëve serbë. Në fund, ai doli fitues… Arlind Sadiku nuk mund të shkojë në Leskovc për shkak të urdhrit të arrestit”, shkruan media boshnjake SportSport.ba.
Portali kroat index.hr raporton për ndalesën e autoriteteve serbe ndaj Sadikut duke i pamundësuar gazetarit raportimin për ndeshjen e së shtunës së kombëtares shqiptare ndaj asaj serbe në Leskovc. Tutje në artikullin e medias kroate theksohet ngjarja në Kampionatin Evropian të vitit 2024 në Gjermani, ku Arlind Sadiku kishte bërë shqiponjën përballë dhjetëra mijërave tifozëve serbë që këndonin “Kosova është zemra e Serbisë”.
Ndërkaq, edhe në Serbi kanë shkruar për këtë zhvillim. Ka qenë mediumi “Kurir” që e ka quajtur Sadikun “provokator” vetëm se ka kërkuar të kryejë detyrën e tij profesionale për të raportuar nga Leskovci.
“U përpoqa përmes institucioneve në Serbi, si dhe përmes kontakteve të tjera, por në Serbi ekziston një urdhër arresti kundër meje dhe nuk do të mund të udhëtoj”, citohet deklarata e Sadikut nga “Kurir”.
Raportimi i medias serbe përmbyllet me deklaratën e Arlind Sadikut në verën e vitit 2024 kur iu kishte hequr akreditimi nga UEFA për shqiponjën e bërë në Gelsenkirchen.
“Festimi me simbolin e shqiponjës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë vepër penale! Nuk kam ofenduar apo provokuar askënd. Thjesht jam krenar për simbolin që na përfaqëson. Jam krenar që jam shqiptar dhe nuk kam frikë ta them këtë edhe nëse e gjithë bota ngrihet kundër meje. Është një precedent i rrezikshëm nëse ky vendim pranohet nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore, sepse hap një kapitull të ri”.
“Nuk ka rëndësi nëse jam pezulluar apo jo, karriera ime është e vogël. Kjo nuk është humbja e Arlind Sadikut, as humbja e një gazetari, por humbje shtetërore dhe kombëtare nëse heshtim. Sot jam në Hamburg duke mbështetur kombëtaren nga tribunat, me tifozët. Krenarisht festojmë përsëri me shqiponjën dhe askush nuk mund të më ndalojë deri në vdekje”, shkruan media serbe. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.