Lajmet e fundit

Nga data 20 deri më 24 tetor, në Kosovë u mbajt kampi i njërit prej klubeve më të mëdha në botë, Barcelonës.
Qëllimi kryesor i këtij kampi ishte zbulimi i fëmijëve të talentuar në futboll që pastaj do ta kenë mundësinë e provimit edhe te klubi katalanas.
Në këtë kamp u regjistruan 235 fëmijë, ndërsa ishin të ndarë në tri grupe për stërvitje nga gjithsej pesë grupmosha.
Në mesin e këtyre fëmijëve ishte edhe Visi Azizi, 12 vjeçar nga Prishtina.
Ai ka thënë se ka mësuar dhe është stërvitur sipas metodologjisë dhe teknikave të klubit të Barcelonës.
Visi ka thënë se dëshirë dhe ëndërr e tij është të luajë për klubin e Barcelonës dhe Kombëtaren e Kosovës.
Ndërkaq në nisje të kampit, drejtori i Barcelonës për këtë kamp në Kosovë, Diego Perreira, pati thënë se Kosova është vend që ka numër të madh të talenteve dhe se duhet të bëhet vetëm një punë më e madhe për zbulimin e tyre.
E Bardh Krasniqi, menaxher i PR-it të këtij programi për Kosovë, theksoi se qëllimi kryesor i këtij kampi është zbulimi i fëmijëve që kanë talent në futboll dhe të cilët pastaj do të kenë mundësinë që të tregojnë aftësitë e tyre edhe në fazat provuese në Barcelonë.
Në përmbyllje të kampit, Barça Academy ka vlerësuar lart cilësitë e secilit pjesëmarrës, duke u impresionuar me nivelin e lartë të talentit dhe përkushtimit që secili prej jush ka treguar gjatë gjithë kampit.
“Përkushtimi juaj dhe përgatitja profesionale i kanë bërë përshtypje të veçantë ekipit të trajnerëve të Barcelonës, duke e bërë këtë kamp një moment të rëndësishëm për sportin e të rinjve në Kosovë”, u tha në njoftimin përmbyllës të Kampit.
Sipas praktikave të Barça Academy, përzgjedhja e tre lojtarëve më të mirë do të bëhet me miratimin e zyrës qendrore të akademisë. Secili lojtar i përzgjedhur do të njoftohet zyrtarisht nga Akademia e Barcelonës pas përfundimit të kampit. /Klankosova.tv