Sulmuesi francez Kylian Mbappe duket se ka kaluar dëmtimin që e la jashtë ndeshjes së parë në “Santiago Bernabéu” dhe pritet të jetë pjesë e skuadrës për sfidën e kthimit ndaj Manchester Cityt. Ndeshja do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Etihad”, ku pritet një përballje e fortë mes dy gjigantëve të futbollit evropian.
Rikthimi i Mbappe është një lajm i mirë për Real Madridin, pasi ai konsiderohet një nga lojtarët më vendimtarë në fazën sulmuese të skuadrës. Megjithatë, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, në konferencën e fundit për shtyp u shpreh se fokusi i ekipit të tij nuk është vetëm te francezi.
“Nëse Mbappe kthehet, është më mirë për ta. Nuk e di nëse do të luajë apo jo. Shumë thanë se Real Madridi nuk ishte asgjë pa Mbappe, Bellingham dhe Rodrygo, por ata na mundën 3-0. Ne duhet të krijojmë një atmosferë pozitive dhe të besojmë se përmbysja është e mundur”, deklaroi Guardiola.
Trajneri spanjoll theksoi se Real Madridi mbetet gjithmonë një kundërshtar shumë i rrezikshëm, pavarësisht mungesave apo formës së momentit. Sipas tij, skuadra angleze duhet të paraqitet në maksimum për të arritur rezultatin që kërkon dhe për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.