Në një aksion të policisë malazeze dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të ShBA-së, është arrestuar anëtari i Gardës Revolucionare të Iranit, Amir Barati (39 vjeç), i cili akuzohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se përmes sulmeve kibernetike (hakimit) ka dëmtuar infrastrukturën e ShBA-së me 3.4 miliardë dollarë, njoftoi Drejtoria e Policisë malazeze.
Barati ka shtetësi të dyfishtë, turke dhe iraniane.
“Zyrtarët e Sektorit për Luftën Kundër Krimit - NCB Interpol Podgorica, ekipi FAST për kërkime të synuara ndërkombëtare, në bashkëpunim me zyrtarët e Departamentit të Sigurisë në Kotor, pas një kërkese direkte për arrestim të lëshuar nga autoritetet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së Byrosë Federale të Hetimit (FBI), lokalizuan dhe sot në territorin e komunës së Kotorrit privuan nga liria A.B. (39 vjeç), shtetas i Turqisë dhe Iranit, njëkohësisht objektiv i profilit të lartë në fushën e krimit kibernetik dhe krimit të organizuar, me qëllim sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale që po zhvillohet kundër tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht para Gjykatës së Lartë në Nju Jork për disa akuza”, u tha në njoftimin e Drejtorisë së Policisë malazeze, raporton media malazeze "
Vijesti", transmeton Klankosova.tv.
Ata deklarojnë se ai akuzohet për kryerjen e veprave penale - konspiracion për kryerjen e mashtrimit kompjuterik dhe hakim të kompjuterëve, si dhe vjedhje të identitetit.
“Dhe këtë në atë mënyrë që nga viti 2013, si bashkëpunëtor i një personi juridik nga territori i Iranit, ka kryer sulme hakimi masive ndaj infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës - në mbi 150 Universitete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar një dëm që vlerësohet në më shumë se 3.4 miliardë dollarë amerikanë. Të dhënat e vjedhura, si dhe qasja në llogaritë e komprometuara universitare, janë përdorur në dobi të IRGC-së (Islamic Revolutionary Guard Corps – Garda Revolucionare e Iranit) dhe përdoruesve të tjerë iranianë, duke përfshirë universitetet me seli në Iran”.
Amir Barati, brenda afatit të parashikuar me ligj, do t'i dërgohet gjyqtarit të hetimit të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, për procedim të mëtejshëm lidhur me ekstradimin e këtij personi te autoritetet kompetente të ShBA-së. /Klankosova.tv