Ish-futbollisti i Real Madrid, Luis Figo, ka komentuar periudhën e vështirë që po kalon skuadra spanjolle, pas konflikteve të brendshme që kanë dalë në pah ditët e fundit në klubin madrilen.
Figo u ndal te incidenti mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit, duke theksuar se situata të tilla nuk duhet të ndodhin në dhomën e zhveshjes së një skuadre elitare, megjithëse pranoi se presioni dhe frustrimi shpesh mund të çojnë në incidente të ngjashme, transmeton Klankosova.tv.
“Ajo që ka ndodhur te Real Madridi nuk është normale. Në një ekip si ky, nuk duhet të ndodhë, edhe pse nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit”, deklaroi Figo gjatë një eventi në Barcelonë, të organizuar me rastin e marrëveshjes së re të sponsorizimit mes La Ligës dhe Duracell.
Ish-ylli portugez foli edhe për vështirësitë e menaxhimit të një skuadre të mbushur me yje ndërkombëtarë, duke theksuar se sfida më e madhe për trajnerët modernë është menaxhimi emocional i grupit.
“Të menaxhosh 30 persona nuk është e lehtë dhe ndonjëherë bëhen gabime që nuk duhet të ndodhin”, u shpreh ai.
Deklaratat e Figos vijnë vetëm pak orë para një tjetër “El Clasico”, në një moment kur atmosfera te Real Madridi mbetet e tensionuar dhe me shumë pikëpyetje për të ardhmen e afërt të skuadrës madrilene.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.