12:31 - “Franca pezulloi vizat për Kosovën”, Macron: Pres përgjegjshmëri nga Kurti e Vuçiq
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Rama tha se janë pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën.
Ai shtoi se ky vendim është marrë pasi nuk është mbajtur fjala e dhënë për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa shtoi se kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të tregohen më të përgjegjshëm.
“Ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në këto komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që presidenti Vuçiç dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të jenë të përgjegjshëm. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave dhe u pezullua nga ana e Francës se ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën”, tha Macron./euronewsalbania/
12:19 - Rama në konferencë me Macron: Kosova të mos ‘mbytet në një lugë ujë’, ta nënshkruajë planin franko-gjerman
Kreu i qeverisë Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Francës Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Kosovës që të firmosë planin franko-gjerman.
Në fjalën e tij Rama theksoi se Kosova ka në krah të gjithë aleatët e saj duke shtuar se duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe të ecë në rrugën e saj europiane.
“E mira e madhe e Kosovës është të firmos unilateralisht të gjithë marrëveshjen dhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë. Pastaj të ja lërë në dorë BE dhe t’i thotë këto ishin obligimet e planit franko-gjerman, ne i kemi dokumente dhe do t'i zbatojmë. Nuk na intereson fare se çfarë bën Serbia. E bën për veten e vet. Paqen e bën me veten e vet. Paqja bëhet me armikun. Është e tmerrshme të mendosh që ky është një oportunitet i artë në tavolinë që Kosova ka në krah të gjithë aleatët që duhet të ketë, çlirimtarët e saj dhe të mbytet me një lugë ujë se çfarë bën e çfarë nuk bën Presidenti i Serbisë", ka thënë Rama, raporton Euronews.al.
"Duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe të vazhdojë rrugën e saj Europiane. Këto janë kushtet. Këto janë mundësira themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes".
12: 06 - Macron: Serbia po ecë ngadalë në procesin e anëtarësimit në BE
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, e ka kritikuar hapur Serbinë.
Macron tha se Serbia po ecën ngadalë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evopian.
Këto deklarime, presidenti francez i bëri gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, shkruan Euronews.al përcjell Klankosova.tv
Ai theksoi se vendet për të cilat janë hapur negociatat duhet të investojnë sa më shumë në vendin e tyre dhe të mirëmbajnë lidhjet që kanë me Evropën.
"Duhet të ketë një mekanizëm respekti. Serbia po ecën shumë ngadalë në procesin e anëtarësimit. Anëtarësimi po bën mbrapa në këto vende. Ne që jemi në BE duhet të bëjmë vetë reforma. Nuk është e vërtetë se mund të zgjerohemi pa fund me mënyrat aktuale të zgjerimit. Duhet të jemi të kthjellët dhe ky është një mekanizëm shumë I mirë. Kemi akoma shumë punë për një epokë të re ribashkimi që po hapet, dhe është një nga sfidat e mëdha të Europës për muajt e ardhshëm. DUhet ta bëjmë duke tronditur zakonet dhe traditat. Vendet që munden të investojnë më shumë. Duhet të mirëmbajmë lidhjen me Europën. Në vendin tuaj marrëdhënia me Europën është në nivele të jashtzakonshme”, tha ai.
12:05 - Macron: Shqipëria e ankoruar në Europë, shënuat rrugën e pakthyeshme drejt BE
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama të mbajtur këtë të martë në Tiranë, se Shqipëria tashmë është e ankoruar në Europë.
Ai tha gjithashtu se prezenca e tij në Tiranë shënon një moment historik për Europën e cila në vitet e fundit po përjeton një erë të re të ribashkimit. Macron shtoi gjithashtu se me mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit ditën e djeshme, Shqipëria tashmë ka nisur rrugën e pakthyeshme drejt Bashkimit Europian.
"Agjenda dypalëshe po shndërrohet dhe vullneti jonë është që të përgatisim në javët e ardhshme një marrëveshje mes dy qeverive që do ta strukturojë këtë marrëdhënie dhe që do ta çojë atë më larg. Gjithashtu gëzohem për atë që kemi ndërtuar këto vite bashkë kundër luftës së kriminalitetit dhe trafikut", ka Macron, raporton Euronews.al.
"Dua t’ju falënderoj që keni qenë mjaftueshëm efikas në këtë fushë gjë që na ka bërë të mundur të nënshkruajmë një marrëveshje në 2018 por edhe ta vëmë atë në zbatim dhe ta bëjmë si një shembull që është imituar nga shtetet të tjera europianë. Ne do vazhdojmë të ecim përpara me këtë dinamikë, sepse unë jam i bindur se v endi juaj është i ankoruar në Europë".
"Përtej agjendës dypalëshe, jam këtu sot që të shpreh një moment të rëndësishëm të kohës historike që po jeton Europa jonë, ajo në këto vite të fundit po jeton në një erë të re të ribashkimit të kontinentit tonë. Ju shënuat një hap të rëndësishëm me konferencën e parë ndërqeveritare, e cila shënoi rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”.
10:20 - Takimi Begaj-Macron: Aktet terroriste si në Banjskë janë të papranueshme
Presidenti Bajram Begaj, ka folur pas takimit me presidentin e Francës Emmanuel Macron.
Begaj e ka cilësuar vizitën një ngjarje historike.
Të dy presidentës gjatë takimit kanë folur rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Kreu i shtetit shqiptar tha se është e nevojshme dënimi i akteve të dhunës dhe provokimeve në komunat veriore të Kosovës.
“Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan më 24 shtator 2023, janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian", tha Begaj.
Bajram Begaj e falënderoi Emmanuel Macronin, për mbështetjen e këtij dialogu.
"Veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu", thuhet në njoftimin e Presidences shqiptare përcjell Klankosova.tv
Më 24 shtator, Serbia kreu agresion në Kosovë.
Si pasojë e një sulm të armatosur nga një grup terrorist serb, u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
_____________________________________________________________________________________________________
09:40 - Pas Begajt, Macron takohet me Ramën
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, pas takimit me presidentin e Shqipërisë Emmanuel Macron, ka mbërritur në kryeministri.
Ai është pritur nga shefi i qeverisë shqiptare Edi Rama.
Macron po shoqërohet nën masa të rrepta sigurie.
Pas takimit, do të nënshkruhet edhe marrëveshja për thellimin e marrëdhënieve Shqipëri -Francë.
Rama dhe Macron do të mbajnë edhe konferencë për media.
______________________________________________________________________________________________________
09:21 - Rama dhe Macron do të nënshkruajnë marrëveshje për thellimin e marrëdhënieve Shqipëri-Francë
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, për herë të parë po e zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ai e ka zhvilluar një takim me presidentin shqiptar Bajram Begaj.
Pas kësaj takimi shefi i shtetit francez do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.
Në këtë vizitë cila po cilësohet historike, do të nënshkruhet edhe marrëveshja për thellimin e marrëdhënieve Shqipëri-Francë.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Rama dhe Macron do të mbajnë konferencë për media.
08:47- Macron pritet me ceremoni shtetërore nga Begaj
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, është pritur me ceremoni zyrtare shtetërore nga ana e presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj.
Shefi i shtetit francez ka mbërritur dje në Tiranë.
Ai në një ceremoni e ka nderuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare me titullin më të lartë të shtetit francez "Oficer i Madh i Legjionit të Nderit", njofton Klankosova.tv.
Macron nuk mori pjesë në punimet e Samitit të Procesit të Berlinit që u organizua për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.
Arsyeja e mospjesëmarrjes ishte sulmi me thikë një shkollë në Paris, ku u vra një mësues dhe u plagosën dy persona të tjerë./Klankosova.tv