Lajmet e fundit

Masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve të Serbisë kanë prekur edhe librin e aktorit me nam Bekim Fehmiu.
Pjesa e dytë e librit autobiografik të Fehmiut “Shkëlqim dhe tmerr” është promovuar të premten dhe të shtunën në Prishtinë dhe Prizren, transmeton Klan Kosova.
Libri i cili është përkthyer nga shtëpia botuese Samizdat, aktualisht ndodhet në magazina të Doganës.
Ndaj këtij reciprociteti ka reaguar edhe botuesi i librit Veran Matiq, i cili ka marrë pjesë edhe në promovimin e librit që ka ndodhur në Kosovë.
Matiq ka thënë se i gjithë tirazhi i librave është nisur për Kosovë dhe sipas tij libri i aktorit më të madh shqiptar nuk është dashur të jetë pjesë e kurrfarë reciprociteti.
Në pjesën e parë ai flet prej kujtimit të parë në Sarajevë e deri në audicionin për t’u pranuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ku do të niste rrugën drejt famës. Edhe pjesa e dytë e rrëfimit të Fehmiut është cilësuar si roman autobiografik.
Aktorit shqiptar me nam botëror pati lindur në Sarajevë më 1936 dhe i ka dhënë fund jetës në qershor të vitit 2010 në Beograd.
Ndërsa një vit pas vdekjes së tij në qershor të 2011, libri i Bekim Fehmiut “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, ka qenë më i shituri në në edicionin e 13-të të Panairit të Librit në Prishtinë.
Fehmiu ishte bërë i famshëm me filmin "Mbledhësit e Puplave", në vitin 1966.
Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.
Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.
Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore./klankosova/