Mesfushori i talentuar Leon Avdullahu (21 vjeç) ndodhet përballë një vendimi të madh: a do të përfaqësojë Zvicrën apo Kosovën në të ardhmen?
Interesimi nga të dyja kombëtaret është i madh, ndërsa vendimi pritet të merret javën e ardhshme.
Federata e Futbollit të Kosovës ka shtuar përpjekjet për ta bindur që të veshë fanellën “dardane”. Ndërkohë, edhe Federata Zvicerane e Futbollit po tenton ta mbajë lojtarin në radhët e saj, duke e bërë çështjen “Avdullahu” prioritet. Madje, presidenti i federatës zvicerane Peter Knabel, së bashku me selektorin Murat Yakin, udhëtoi në Sinsheim për ta bindur mesfushorin të qëndrojë me Zvicrën, raporton “Blick”, transmeton Klankosova.tv.
Pavarësisht presionit, Avdullahu ka vendosur ta shtyjë përkohësisht vendimin dhe të përqendrohet te klubi i tij i ri, Hoffenheim. Në ndeshjen hapëse të Bundesligës kundër Bayer Leverkusen, ai debutoi si titullar, duke treguar një paraqitje solide në mesfushë. Hoffenheim arriti fitoren 2:1, me Avdullahun që ishte një nga lojtarët kyç, pavarësisht një kartoni të verdhë në pjesën e parë.
Avdullahu u transferua këtë verë nga Basel te Hoffenheim për rreth 10 milionë franga. Me skuadrën zvicerane ai ka zhvilluar 71 ndeshje dhe ka qenë pjesë e suksesit historik me fitimin e “dopietës”.
Vendimi i tij për kombëtaren pritet javën e ardhshme – dhe ironikisht, vetëm dy javë më pas Zvicra do të përballet me Kosovën në kualifikimet për Botërorin. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.