Futbolli afrikan po përgatitet të ndryshojë fytyrë. Në prag të fillimit të Kupës së Afrikës 2025, Patrice Motsepe, president i CAF ka njoftuar se duke filluar nga viti 2028, kompeticioni do të zhvillohet çdo 4 vjet, sipas modelit të Kampionatit Evropian.
“Ky vendim është pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të futbollit afrikan,” – shpjegoi numri një i Konfederatës. “Qëllimi është ta bëjmë kalendarin më të harmonizuar në nivel botëror.”
Motsepe sqaroi gjithashtu se si do të organizohet faza e tranzicionit: “Në vitin 2027 do të luajmë në Tanzani, Kenia dhe Ugandë, tre vendet pritëse. Kupa e Afrikës pasuese do të zhvillohet në vitin 2028.”
Për më tepër, presidenti i CAF njoftoi krijimin e një trofeu të ri sipas modelit të Nations League.
“Pas Kupës së Botës për Klube të vitit 2029, do të kemi Ligën e Kombeve Afrikane të parë. Do të jetë një kompeticion me më shumë burime, çmime më të larta dhe një nivel më të lartë konkurrence", përfundoi ai.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.