Pushimi ndërkombëtar ka sjellë lajme të këqija për Arsenalin. Konkretisht, Gabriel Magalhaes, mbrojtësi i cili është një nga lojtarët kryesorë të liderit aktual të Premier League, u lëndua në ndeshjen e Brazilit.
Gabriel dëmtoi muskulin e kofshës dhe informacionet fillestare tregojnë se ai mund të mungojë midis një muaji e disa ditë, raporton gazetari David Ornstein.
Ai do t'i nënshtrohet testeve shtesë që do të tregojnë më mirë se çfarë lloj dëmtimi është dhe sa kohë do të zgjasë rikuperimi, por kjo mund të jetë një goditje e rëndë për Arsenalin.
Përveç kontributit të tij të madh në repartin defanziv, Magalhaes i ka dy gola dhe tre asistime në 17 paraqitje këtë sezon. Së bashku me të, mbrojtësit e Arsenalit Jurrien Timber dhe Riccardo Calafiori gjithashtu patën probleme me lëndime gjatë këtij cikli ndërkombëtar, por duket se lëndimet e tyre nuk janë të një natyre serioze.
Mbrojtësi është te "Topçinjtë" që nga viti 2020 dhe është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë në ekipin e Mikel Artetas.
Si kujtesë, qendërmbrojtësi brazilian ishte i huazuar te Dinamo Zagreb nga Lille në vitin 2018. Pasi u kthye te klubi amë, ai filloi të merrte gjithnjë e më shumë mundësi dhe përfundimisht u shit te Arsenali për 26 milionë euro.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.