29.10.2015 · përditësuar para 3903 dite1 min lexim
Me zemra të rënduara dhe mendje të preokupuara, lojtarët e Minnesota Timberwolves fituan me një pikë dallim përballjen me Los Angeles Lakers.
Ricky Rubio arriti rekordin e karrierës me 28 pikë dhe 14 asistime dhe Timberwolves kthyen rezultatin nga 16 pikë deficit duke mposhtur Los Angeles Lakers 112-111 të mërkurën mbrëma, në ndeshjen e parë që nga vdekja e Flip Saunders, njofton Klan Kosova.
Kevin Martin shënoi 23 pikë për Timberwolves tri ditë pasi skuadra humbi trajnerin e kahmotshëm.
“Mendoj që sot patëm fat”, tha Rubio pas ndeshjes.
“Ka qenë javë e gjatë, vështirë e shpjegueshme. Të gjithë kemi ndjerë shumë dhimbje. Por megjithëse Flip s’është fizikisht më me ne, ai do të jetë në zemrat tona”.
Kevin Garnet shënoi katër pikë dhe fitoi shtatë topa, për të filluar kështu sezonin e 21-të të tij në NBA – duke u bërë kështu lojtari i tretë me më shumë vite lojë në ligë.
Nga ana tjetër edhe Kobe Bryant theu rekord personal. Legjenda e Lakers shënoi 24 pikë në ndeshjen e parë të tij të sezonit të 20-të me Lakers, duke thyer kështu rekordin e John Stoctonit për më shumë sezone të luajtura me një skuadër.
Bryant luajti një ndeshje të mirë, ndoshta më të mirën që nga janari, kur qe lënduar për të tretin edicion me radhë.
“Shpejt do të jem tamam ai i vjetri”, tha Bryant.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.