Banorët e qytetit të Salceas, në Rumani, do të paguajnë një taksë për qentë, dhe detyrimi i pagesës bie mbi të gjithë, përfshirë ata që nuk kanë kafshë shtëpiake.
Taksa e re, e cila është 3 euro për person ka shkaktuar revoltë dhe pakënaqësi tek vendasit, por autoritetet lokale e justifikojnë masën me nevojën për të financuar shërbimet e menaxhimit për qentë endacakë, transmeton Klankosova.tv
Taksa synon të mbështesë fushatën për kapjen, trajtimin dhe kujdesin për qentë endacakë.
Kryetari i bashkisë së Salceas, Ezekiel Belțic, deklaroi se rrjeti i kamerave të mbikëqyrjes me video do të zgjerohet me qëllim identifikimin dhe sanksionimin e individëve që braktisin kafshët e tyre në zona publike.
"Problemi shkaktohet kryesisht nga disa njerëz që, për fat të keq, i braktisin qentë. Për ta ndaluar këtë problem, ne kemi një strategji që e kemi zbatuar tashmë.
“Kemi blerë mikroçipa nga buxheti vendor, do të identifikohen qentë në pronësi dhe gjithashtu do të kryejmë sterilizim, i cili mund të subvencionohet pjesërisht nëse miratohet nga Këshilli Vendor. Kështu, përmes kësaj fushate, do ta zvogëlojmë gradualisht numrin e qenve endacakë”, shpjegoi kryebashkiaku.
Bashkia ka nënshkruar një kontratë me një strehë private përgjegjëse për kapjen, trajtimin dhe kujdesin për qentë endacakë. /Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kuriozitete dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.