Kryeministri Albin Kurti sot po qëndron në Shkup në kuadër të forumit socio-ekologjik, ku ka bërë të ditur që Kosova është plotësisht e përkushtuar në tranzicionin drejt përdorimit të energjisë së pastër.
Ai e ka vlerësuar si të domosdoshëm një model të ri të qëndrueshëm ekonomik që i çon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt përparimit social dhe ekologjik duke përmirësuarn mirëqenien si dhe duke sjellë drejtësi sociale dhe ekonomike.
Kurti mori pjesë në panelin diskutues "Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor", në forumin e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, Olof Palme International Center dhe Progres Institute for Social Democracy bashkë me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaevin.
“Ne kemi nevojë për një model të ri të qëndrueshëm ekonomik që i çon vendet tona drejt përparimit social dhe ekologjik dhe përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe siguron drejtësi sociale dhe ekonomike; Një model i ri i qëndrueshëm ekonomik që respekton kufijtë ekologjik të planetit tone”, ka thënë Kurti.
“Marrëveshja e Gjelbër Evropiane kërkon të vendosë Evropën në rrugën e tranzicionit ekologjik, rritjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe prosperitetit. Një tranzicion i tillë për Evropën mund të jetë efektiv vetëm nëse ndërmerren veprime edhe në rajonin tonë. Bashkimi Evropian tashmë ka prezantuar Agjendën e Gjelbër për rajonin që parashikon Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Por një agjendë e gjelbër kërkon që ne të bëjmë ndryshime të mëdha në ekonominë tonë dhe mënyrën tonë të jetesës”.
Kurti shtoi se ekonomia qarkore si një nga blloqet kryesore të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, është një mjet që mund të shpie në rritjen e qëndrueshme ekonomike, dhe të ndihmojë në dekarbonizim.
“Në qeverinë time ne kemi ndërmarrë veprime për të zhvilluar një model ekonomik qarkor në mënyrë që të zvogëlojmë emetimet e gazrave, të ruajmë biodiversitetin tonë, të ndërtojmë një sistem ushqimor të qëndrueshëm dhe të merremi me problemet strukturore të rrënjosura thellë në agrokulturë. Ky model gjithashtu do të zvogëlojë, ripërdorë dhe menaxhojë mbeturinat tona, dhe do të zhvillojë industri të reja të pastra dhe përfundimisht do të gjenerojë vende të reja pune”.
“Nuk është pyetja nëse duhet apo jo tranzicioni, por kur dhe si. Është e rëndësishme që modeli që ne do të zgjedhim të jetë i drejtë në aspektin social, të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos ngadalësojë rritjen dhe zhvillimin tonë ekonomik”, shtoi mes tjerash ai.
“Dua të ritheksoj se ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër dhe të investojmë në atë të ripërtëritshme, si energjia e erës dhe diellit dhe në efikasitetin e energjisë duke rimodeluar shtëpitë tona, por ne kemi nevojë për pak kohë dhe veçanërisht mbështetje financiare në mënyrë që ky proces të mos ndërpresë rritjen ekonomike e cila i nxjerr njerëzit tonë nga varfëria”.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.