Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar ekspozitat dhe festivalin “Fotoist” në Prishtinë.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, ai tregon se “Fotoisti” erdhi me dy ekspozita: “Kronikë tregimesh të venitura – Kosova 2010-2012″ nga Eni Nurkollari dhe “Arka e Memories”, kuruar nga Ardian Isufi dhe Lindar Muça.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë thotë se “kohërat që i kemi kaluar si popull kanë qenë sfiduese e plot vuajtje. Fotografia na bën t’i rikujtojmë e të mos harrojmë atë që ka qenë. Duke kontribuar edhe në memorien kolektive, e mospërsëritjen e epokave të errëta të historisë tonë si komb”, njofton Klankosova.tv.
“Fotografia i bën momente të caktuara të jetojnë përjetë. Kap emocionin, pamjen e vështrimin e çastit. Kujtim të cilin e risheh dhe viziton përsëri, për të të ndjellur sa ndjenja të njëjta, aq edhe kureshtje dhe vëzhgime të reja. Fotoist, Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë që po zhvillohet në Prishtinë, erdhi bashkë me dy ekspozita: “Kronikë tregimesh të venitura – Kosova 2010-2012″ nga Eni Nurkollari dhe “Arka e Memories”, kuruar nga Ardian Isufi dhe Lindar Muça. Secila e ka fabulën e saj. Disa na vijnë me nuanca ngjyrash, disa bardh e zi. Kronikë tregimesh të venitura sillet si kërkim i autorit për gjetjen e asaj që quan shtëpi, 23 vite pas rikthimit në Kosovë. Në këtë rrugëtim, kalon mes shtigjesh e fijesh të holla të së kaluarës e copëza memoriesh, të cilat jetësohen para tij në format e shtëpisë, dhe ndjellin imagjinatën për atë që ka qenë e ka jetuar në ato hapësira. Sa lumturi për pjesëzat që gjen, aq edhe trishtim për atë që nuk është më si dikur. Për Arkën e Memories, autorët shkruajnë: “Çdo imazh flet sa për një mijë fjalë, çdo gjurmë drite në celuloid ka shënjuar përjetësisht jetën universitare në aq shumë ngjarje shkollore, me personazhe të profesoriatit, të studentëve, artistëve e të shumë të tjerëve të cilët kanë kontribuar në dekada për të krijuar elitat në edukimin dhe kulturën e Shqipërisë. Nga “Arka e Memories” dallohen qartazi edhe dritë-hijet e kohëve utopike që jetuam, ndërmjet frymës revolucionare dhe retushimeve historike!”. Kohërat që i kemi kaluar si popull kanë qenë sfiduese e plot vuajtje. Fotografia na bën t’i rikujtojmë e të mos harrojmë atë që ka qenë. Duke kontribuar edhe në memorien kolektive, e mospërsëritjen e epokave të errëta të historisë tonë si komb”, ka shkruar Kurti, njofton Klankosova.tv.
Kryeministri u bëri thirrje ndjekësve ta vizitojnë festivalin dhe ekspozitat e “Fotoist” i cili zgjat deri nesër.
“Mos e humbisni mundësinë, të vizitoni ekspozitat dhe festivalin, Fotoist, i cili zgjat edhe nesër, deri më 3 shtator”, shkruan Kurti.
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.