Lajmet e fundit
Të hënën, 1 tetor 2018, në teatrin “Adriana” të Ferizajt do të mbahet premiera e shfaqjes “Kur hana del”, me regji të Ben Apollonit. Kjo dramë është shkruar nga Ag Apolloni dhe paraqet historinë tragjike të luftës së fundit në Kosovë dhe fatet e personave që kanë humbur familjarët, por edhe mendjen

Kjo është një histori e trishtë që përçon jo vetëm fatin tragjik të të vrarëve të luftës, por edhe të familjarëve që nuk e përballuan humbjen e tyre, shkruan Kult Plus.
“Kur hana del” ndërtohet si tragjikomedi, pasi rrëfimet tragjike të personazheve shoqërohen me veprimet komike të tyre. Izolimi i tyre në një spital psikiatrik, nata dhe hëna, loja e shahut, por edhe mosrealizimi i dashurisë mes Lulit dhe Hanës, nënkuptojnë triumfin e vdekjes mbi jetën, ku e para ia bën mat të dytës.
Në këtë shfaqje do të luajnë: Ali Krasniqi, Edona Berisha-Bekteshi, Vjosa Abazi, Dashuri Rexhepi, Jajush Ramadani, Arben Marevci, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Ekrem Jakupi. Skenografia e shfaqjes është bërë nga Lebibe Topalli, kostumografia nga Pranvera Sylejmani, ndërsa muzika nga Shaban Ratkoceri. Reprizat e shfaqjes do të mbahen me 2 dhe me 3 tetor.
