Nga jashtë, xhamia Wilmersdorf me lokacion në Berlin duket po e njëjta që nga koha kur është ndërtuar në vitet 1920.
Mirëpo ky institucion, sikur edhe qyteti rreth tij ka ndryshuar.
Sot, xhamia është një vend i qetë, dhe me së shumti shërben si një qendër informative e ndonjëherë vizitohet nga nxënësit në udhëtime me shkollën. Një komuniteti i vogël myslimanësh e vizitojnë rregullisht ditën premte për lutje.
E gjithë kjo është larg nga ditët kur xhamia Wilmersdorf ishte qendër e një lëvizje shpirtërore kundërkulturore në Republikën e Weimar. Ndërtuesit e xhamisë, misionarët Ahmadiyya nga India Britanike, kanë tërhequr masa të mëdha njerëzish në vitet 1920, e kanë mbajtur ligjërata me tema si: rritja e boshllëkut në mes jetës e doktrinës, e ardhmja e Evropës si dhe e ardhmja e njerëzimit si tërësi.
Gjerman nga të gjitha moshat, pas Luftës së Parë Botërore të zhgënjyer nga civilizimi i krishterë e në kërkim të një alternative religjioze moderne e racionale, merrnin pjesë në këto ligjërata, e shumë nga ta edhe u konvertuan në mysliman.
Është një skenar i çuditshëm ky për Gjermaninë e sotme, ku krahu i djathtë, Partia Alternative për Gjermaninë, ka kërkuar ndalimin e mbulesës e të minareve, dhe më shumë se gjysma e gjermaneve thonë që shohin Islamin si kërcënim.
Mirëpo në periudhën në mes dy luftërave, Berlini mburrej me lulëzimin mysliman, jo vetëm nga studentët e ardhur nga Azia Jugore e Lindja e Mesme por edhe me konvertimin e gjermanëve në jetën e përditshme.
Islami atëbotë përfaqësonte një formë kundërkulturore, madje edhe ekzotike të spiritualitetit dhe te së majtës mendjehapur. (Mund të krahasohet me Budizmin në Kaliforni në vitet 1970). Gjermanët nuk përbënin dallimin në shprehjen e kësaj çiltërsie e madje edhe të fascinimit me Islamin.
Fillimet e shekullit 20 shënuan shfaqjet e parë të komuniteteve dhe institucioneve myslimane në Evropën Perëndimore, e me këtë erdhën edhe konvertimet në Britani dhe Holandë. Kjo periudhë duket se është harruar e çka është e rëndësishme është që sot islami dhe Evropa karakterizohen nga neveria e ndonjëherë edhe armiqësia. Edhe diskutimet më të lehta ende e trajtojnë islamin në Evropë si një fenomen të huaj për kulturën e politikën evropiane.
Mirëpo nëse shikojmë mbrapa në fillet e shekullit të 20-të, Islami dhe Evropa Perëndimore kishin një marrëdhënie krejt tjetër, e karakterizuar me kureshtjen e qytetarëve e mund të themi edhe me favorizim nga qeveritë. Përderisa qytetarët eksperimentonin me religjionin e ri qeveritë kishin një trajtim special për qytetarët mysliman. Qeveria sekulare në Francë shpenzoi shuma të mëdha në ndërtimin e xhamive , përderisa Gjermania demonstronte trajtimet e saja superiore ndaj myslimanëve krahasuar me Francën e Britaninë.
Nëse shohim këtë të kaluar, mund të na shërbej si kujtues se marrëdhënia në mes të Evropës e Islamit nuk ishte gjithmonë e tillë dhe mund të mos jetë siç është në të ardhmen.
Udhëheqësi i xhamisë Wilmersdorv, Hugo Marcus, i cili u konvertua në mysliman më 1925, ka shkruar shume artikuj, ku diskuton teoritë filozofëve të njohur si Goethe, Nietzsche, Spinoza, dhe Kant, kështu duke thënë që Islami është komponent kryesore në ndërtimin e “njeriut të ri”.
“Njeriu i ri” është termi që ishte përdorur për ta përshkruar qytetarin e së ardhmes.
Misioni Ahmadiyya ndërtoi edhe xhaminë Shah Jahan në Angli. Dhjetë vite më vonë pas vdekjes së mbikëqyrësit të saj, xhamia u bë e papërdorshme. Mirëpo, pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore misionari Khwaja Kamaluddin, mori përsipër pronën dhe e shndërroi në një mision në aksion. Xhamia, e lokalizuar 30 minuta larg Londrës, mblodhi një numër të konsiderueshëm të të konvertuarve të cilët ishin të pa kënaqur me krishterimin modern dhe shoqërinë perëndimore.
Konvertimi më legjendarë ishte ai i anëtarit të fisnikërisë në Irlandë, Lord Headley.
Duket qartë që, në nivel individual, Islami fitoi disa evropian në kërkim të një shkëputjeje nga bota moderne.
Pieter Henricus van der Hoog, një dermatolog holandez, i cili themeloi një kompani kozmetike funksionale edhe në ditët e sotme, u konvertua në këtë periudhë e gjithashtu shkoi në pelegrinazh në Mekë.
John Philby, zyrtar i inteligjencës britanike dhe babi i agjentit famëkeq të dyfishtë Kim Philby, u konvertua përderisa ishte duke jetuar në Arabinë Sudite në vitin 1930 dhe ndërroi emrin në Abdullah. Një tjetër person i konvertuar në këtë periudhë ishte edhe shkrimtari Leopold Weiss, i cili morri emrin Muhammad Asad; i biri i tij, Talal Asad, është një nga antropologët me më së shumti influencë në botë sot.
Ndërsa, qeveritë evropiane në fillet e shekullit të 20-të demonstruan një tolerancë madje edhe mbështetje ndaj Islamit që mund të duket e çuditshme për lexuesit e kohës së sotme.
Gjate Luftës se Pare Botërore, Franca dhe Britania vareshin nga kolonitë e tyre – shumica prej të cilave ishin myslimane – në beteja, andaj i kushtonin vëmendje nevojave të këtyre trupave. Imamët ishin prezent në regjiment, në vend të mishit të derrit dhe verës shërbehej kus-kus, kafe e çaj (Regjimentet çifute në anën tjetër nuk kishin këto tretmane).Nga ana e Gjermaneve, xhamia e parë është ndërtuar në një kamp për të burgosurit e luftës, në mënyrë që të akomodoj robërit e luftës mysliman dhe të tregoj që sa më mirë trajtohen ata nga Gjermanët krahasuar me Francën e Britaninë.
Në periudhën paslufte lëvizjet anti-koloniale, duke theksuar identitetin islamik, shqetësuan po këto qeveri.
Mirëpo, qeveritë evropiane janë munduar të fitojnë simpatinë e myslimanëve edhe përmes propagandave të buta. Në vitin 1926, qeveria sekulare e Francës, duke u mbështetur në disa boshllëqe ligjore financoi ndërtimin e xhamisë “Grande Mosquée de Paris”. Xhamia u ndërtua në kujtim të ushtarëve të rënë mysliman. Në vënien e gurthemelit, zyrtari i komunës së Parisit, Paul Fleurot ka thënë që “Xhamia është një mirënjohje nga Franca, një memorial për ushtarët mysliman të cilët kanë rënë në emër të shtetit”
Në fakt tani kjo xhami shihet nga historianët si një pjesë e propagandës kolonialiste franceze, që t’ju jap vizitorëve të pasur një shije të botës myslimane. Kjo xhami është ende edhe në ditët e sotme dhe tërheq shumë vizitorë, të cilët shijojnë çaj dhe bakllavë kështu duke ofruar pak atmosferë të lindjes në zemër të Parisit.
Në vitin 1935 shteti sekular francez ndërtoi një spital në Bobigny, kështu duke veçuar sërish myslimanët. Pacientët shërbeheshin me ushqim hallall dhe ndërtesa në vete ngërthente vende për lutje dhe kishte varrezë myslimane. Në të njëjtën kohë ky spital mbante larg myslimanët nga repartet publike franceze, në kohën kur qytetaret francez druheshin që afrikano-verioret bartin sëmundje të ndryshme – gjë që tregon anën raciste evropiane. Ky spital tregon më së miri strategjinë koloniale të qeverisë, ku në një anë ofronte shërbime në favor të myslimanëve e në anën tjetër i mbante ata nën kontroll.
Para fillimit të Luftës se Dytë Botërore dhe gjatë saj, përpjekjet për të fituar simpatinë e myslimaneve vazhduan me ngulmim. Gjatë kësaj periudhe Britania ndihmoi financiarisht ndërtimin e dy xhamive në Londër, përderisa nazistët mundoheshin t’i bindnin myslimanët që t’u bashkoheshin luftës së tyre. Veçanërisht në Ballkan, Krime dhe Kaukaz, nazistët kanë paraqitur veten si mbrojtës të Islamit. Kjo propagandë tejkaloi në anti-hebrenje, anti-bolshevizëm e anti-imperializëm britanik. (Në Gjermani u krijuan edhe legjionet myslimane mirëpo shumica nga ushtaret janë regjistruar më shumë për shkak të kushteve jetësore se sa për ideologjitë).
Kjo periudhë – në të cilën evropianët dhe qeveritë e tyre ledhatuan myslimanët dhe islamin – ironikisht paralajmëron trajtimin e Islamit në Evropën Perëndimore sot. Vëmendja speciale ndaj myslimaneve, në vend të shenjave të pranimit, shpesh ka qenë e nxitur nga një perceptim kërcënues ndaj interesave kombëtare nga potenciali politik e armiqësor fetarë. Kjo nuk është diçka më ndryshe se sa programet trajnuese për imam, të sponsoruar nga shteti në Britani dhe Holandë, në ditët e sotme.
Xhamia e Berlinit, Wilmersdorf, pësoi dëme të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa tani pjesëmarrje në të është e vogël, vetëm gjatë lutjeve të së premtes dhe pak nga këta pjesëmarrës e dinë historinë e saj. Në dekadat në vijim, kjo periudhe e shkurtër kur Evropa përqafoi Islamin, është zhdukur nga memoria.
Pse, nuk është dhe aq e qartë – ndoshta nga fluksi i madh i punëtorëve mysliman që tanimë u shndërruan në një minoritet të dukshëm, dhe me këtë erdhën edhe tensionet e ndryshme. Apo ndoshta që nga 11 shtatori, ngjarjet që shënuan marrëdhënien e Perëndimit dhe Lindjes së mesme kanë mbuluar historinë.
Megjithatë, rishikimi në histori është i rëndësishëm që të kuptojmë të mirën e të keqen, kur bie fjala tek historia komplekse e Islamit në Evropë.
Xhamia e Wilmersdorf përfaqëson një kohë kur në mendjet evropiane myslimanët nuk janë lidhur me forma represive, anti-intelektuale e kërcënuese.
Historia e myslimanëve dhe Islamit në Evropë është më e vjetër e më e pasur se sa mendojnë shumica, dhe duke pranuar këtë do të na ndihmoj që në të ardhmen ti shohim myslimanet si pjesë e integruar dhe e barabartë në jetën evropiane, e jo si kërcënim i huaj.
( Shkruar nga Marya Hannun, Sophie Spaan për Foreign Policy, përkthyer nga Klan Kosova)