Ka më shumë se tre muaj dhe 20 tentime të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit.
Në ndërkohë, funksionimi i Qeverisë (nën detyrë, në dorëheqje etj...) është kontestuar me tekstin e Ligjit për Qeverinë dhe frymën kushtetuese. Zgjedhjet prodhuan një rezultat që vetvetiu kërkon bashkëpunim, komunikim të sinqertë dhe përgjegjësi institucionale dhe etike që të krijohen institucionet. Ne po shohim një situatë brengosëse ku po shpërfaqet sëmurja prezente e mosdëshirës dhe mosprirjes shkatërrimtare për të prodhuar konsensus dhe marrëveshje lidhur me interesat vitale të vendit, kur situata e brendshme dhe ajo e jashtme kërkojnë një urgjencë dhe përgjegjësi të madhe.
Për më tepër, secili propozim, e kishte edhe aso konstruktivë, pritet me zhurmë dhe antagonizëm dhe tentim për të gjetur “arsye” për ta refuzuar dhe denigruar.
Duket se dikujt i konvenon gjendja e tillë që përcillet me elemente të tentimeve për autarki dhe autoritarizëm. Është frikësues komoditeti i deputetëve dhe disa aktorëve politikë me këtë gjendje.
Por, për fat të keq, kemi hyrë në muajin katërt nga mbajtja e zgjedhjeve qendrore në Kosovë, dhe ende nuk kemi institucione funksionale demokratike, pa legjislativ dhe pa ekzekutiv. Në këto rrethana, po i ekspozohemi rrezikut real që të përballemi me një gjendje anarkie, kur organet shtetërore dhe publike nuk kanë adresë për raportim dhe llogaridhënie, kështu që qytetarët mund të përballen me veprime autoritare të organeve shtetërore, apo të zyrtarëve të tyre, me mosrespektim të ligjit dhe shkelje të të drejtave të tyre.
Mjafton të përmendim situatën lidhur me energjinë, fondet e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, fillet e një inflacioni dhe indikacionet për rritje të pakënaqësisë dhe konflikteve sociale, por ka edhe shumë të tjera.
Vazhdimi i kësaj loje të pakuptimtë, politike, do të na kushtojë shtrenjtë, neve qytetarëve, shtetit të Kosovës, por, mos të harrojnë subjektet politike, se një kosto do ta paguajnë edhe ato, proporcionalisht me fuqinë e tyre në Kuvend.
Autori është Kryetar i Bordit të Institutit RIINVEST
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.