Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët se për shkak të organizimit të Kampionatit të Kosovës në Çiklizëm 2026, sot dhe nesër do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në segmentet rrugore të përfshira në itinerarin e garave.
Sipas njoftimit zyrtar, dita e parë e kampionatit, 24 qershor, do t’i kushtohet garës së kronometrit individual (ITT), e cila do të nisë në orën 10:00. Çiklistët do të lëvizin në itinerarin Ferizaj - HIB Petrol në Bibaj - Babush, përgjatë segmentit të autostradës “Arbër Xhaferi” dhe në drejtimin e kundërt. Përfundimi i garës është paraparë rreth orës 12:00, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq, të enjten do të zhvillohet gara rrugore (Road Race), me fillim në orën 10:00. Itinerari përfshin aksin Ferizaj (Bibaj) - Hani i Elezit - Ferizaj - Trudë, me një gjatësi prej 100 kilometrash. Organizatorët kanë bërë të ditur se përfundimi i garës pritet të bëhet në Trudë rreth orës 13:00.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre me kohë, të shmangin vonesat e mundshme dhe të respektojnë udhëzimet e Policisë së Kosovës, zyrtarëve të garës dhe sinjalizimin e vendosur përgjatë rrugëve ku do të zhvillohen aktivitetet sportive.●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.