Njeriu i mençur, si thuhet, mëson prej gabimeve të njerëzve të tjerë.
Ai tjetri (njeri), detyrohet të mësojë prej gabimeve të veta. Natyrisht, nëse merr vesh (ndonjëherë), ku gaboi dhe çka i ka ndodhur në të vërtetë.
Në të kundërtën, ai vetëm sa thellohet në rrjedhën e gabimeve dhe të dështimeve të veta.
Njëlloj qëndron edhe me politikën. Në demokraci natyrisht, se në këto politikat e tjera nuk ka gabime dhe dështime. Derisa të mos rrëzohet krejt godina shtetërore.
Në kontekstin e politikës kosovare, duket që janë dy situata politike të cilat meritojnë vëmendjen e skenës politike të vendit. Ato, tek e fundit, nuk po na shfaqen për herë të parë, teksa ka munguar, së paku deri tash, një reagim më i qartë, më i vendosur i politikanëve kosovarë dhe i partive të tyre.
Situata e parë doli në sheh, në mënyrën më të keqe të mundshme në trajtë të manipulimeve të rënda zgjedhore ‘brenda llojit’ (si thuhet), apo, në kuadër të listave partiake të kandidatëve për deputetë.
Për vite me radhë jemi krenuar që tek ne mbahen zgjedhjet më të lira dhe më të drejta në gjithë rajonin. Për më tepër, gjë që po ashtu është dukuri shumë e rrallë në këto anë të Evropës, rezultatet e zgjedhjeve janë pranuar së shpejti prej të gjithë pjesëmarrësve në to.
Por kësaj here kuptuam, më qartë se më para (sepse kjo dukuri ka qenë e pranishme edhe në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më parë), që ka manipulime enorme të rezultateve të zgjedhjeve, midis pretendentëve brenda partive për ta marrë mandatin e deputetit.
E tëra kjo ka lënë një shije të hidhur tek të gjithë ne, dhe natyrisht ka dëmtuar ndjeshëm atë krenarinë për suksesin e organizimit të zgjedhjeve të lira.
Do të ishte gabim nëse e tëra çfarë na ndodhi kësaj here, do t’i lihet vetëm në duart e gjyqësisë kosovare. Natyrisht, gjyqësia duhet të veprojë dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që e dëmtuan këtë proces zgjedhor. Por, liderët dhe partitë tona politike do të duhej trajtuar këtë çështje, në mënyrë parimore, për të parë se a duhet vazhduar edhe tash e tutje me aplikimin e këtij sistemi zgjedhor (me lista të hapura, deri në dhjetë kandidatë, ku e gjithë Kosova është një zonë zgjedhore), apo, do të duhej përvjelë mangët në kërkim të një sistemi tjetër zgjedhor, i cili do të ishte më i mirë dhe për më tepër, do të ofronte një qartësi në epilog të çdo palë zgjedhjeve.
Situata e dytë po na pret pas pak javësh, dhe ajo ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës, jo më larg se me 4 mars, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës.
Që prej shkurtit/ marsit të vitit 2011, i kemi marrë vesh ‘Rregullat e lojës’, në këtë proces, përmes Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Duhet pra prania dhe votimi i së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës (80 deputetë e më shumë), teksa gara për këtë post duhet të zhvillohet midis së paku dy pretendentëve për këtë pozitë.
Duke ditur që është të thuash e pamundur që një parti a një koalicion, që i fiton zgjedhjet, të grumbullojë rreth vetes dy të tretat e Kuvendit, për ta proceduar lehtë dhe pa tronditje të mëdha këtë procedurë (të zgjedhjes së Presidentit), del që sa herë që kemi zgjedhjen e Presidentit, ballafaqohemi njëkohësisht me një krizë politike në ardhje e sipër.
Nuk do të duhej lënë në të ardhmen këtë barrë evidente politike që kërcënon së paku një herë në pesë vjet stabilitetin politik në Kosovë.
Ose duhet pra ndryshuar Kushtetutën e Kosovës që me votë popullor të zgjedhet Presidenti i Kosovës, ose duhet amandamentuar Kushtetutën, ashtu që të mundësohet kalimi i dy rrathëve të parë në votimin për Presidentin, edhe nëse nuk janë në sallë dhe nuk votojnë tetëdhjetë deputetë. Në rrethin e tretë dihet që duhet të marrin pjesë së paku 61 deputetë.
Diçka pra duhet bërë këtu.
Ka pasur përpjekje në vitet 2011/ 2012, për t’i adresuar si duhet te dy këto situata, me reformën e sistemit zgjedhor dhe me ndryshimin e Kushtetutës.
Megjithatë, në fund e gjithë një punë e mirë që u pati bë në Kuvend, u braktis për shkaqe të ndryshme.
Ka ardhur koha për t’i kthyer punëve të pambaruara të para 15 viteve.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.