Lajmet e fundit

Kryesia Qendrore e LDK-së është rreshtuar në krah të kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku pas disa nismave të pretenduara për shkarkimin e tij nga ky post.
Përmes një postimi në Facebook, Kryesia Qendrore e LDK-së tha se mbështet Abdixhikun në ushtrimin e mandatit të tij për udhëheqjen e proceseve politike dhe organizative të partisë, si dhe në procesin e formimit të institucioneve të Kosovës përmes diskutimeve me partitë e tjera parlamentare.
“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Prandaj, përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë. Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare", thuhet në postimin e Kryesisë së LDK-së pas mbledhjes së mbajtur këtë pasdite.