Kristjan Asllani u prezantua para tifozëve të rinj të Torinos duke folur për kanalet zyrtare të klubit "Granata".
Mesfushori shqiptar, i ardhur në Piemonte në huazim me të drejtë blerjeje nga Interi, nuk vonoi aspak të fitonte vlerësimin e tifozëve dhe besimin e trajnerit Baroni, i cili që në fillim e bëri një shtyllë të mesfushës së tij.
“Kam ardhur prej rreth njëzet ditësh, ndiej emocione pozitive: grupi më ka pritur mirë, klubi dhe trajneri më kanë dashur dhe besojnë tek unë: është pikërisht ajo që kërkoja. Tani na pret një ndeshje e rëndësishme dhe duam të vazhdojmë atë që kemi bërë në Romë", theksoi Asllani, transmeton Klankosova.tv.
Mesfushori deshi të rikthente edhe një herë të gjithë hapat e negociatave për kalimin nga Interi te Torino, duke thënë se beson te projekti i ri që e ka zgjedhur.
"Desha të vija këtu sepse besoj në këtë projekt, më kanë dashur dhe ishte një zgjedhje e lehtë. Por kanë qenë ditë stresuese: merkato është e vështirë, isha tek Interi dhe kisha shumë oferta, kisha frikë të vendosja menjëherë. Doja një projekt që të më ndihmonte, kisha nevojë të luaja, mora disa ditë kohë por më pas situata u bë e rrezikshme: ditët e fundit janë gjithmonë të vështira, por jam i lumtur që erdha aty ku doja".
"Në zgjedhje ishte i rëndësishëm presioni i presidentit, i drejtorit dhe i trajnerit: të gjithë besojnë tek unë, është projekti që kërkoja. Jam i lumtur, edhe familja ime është dhe gjithçka është perfekte", tha mesfushori shqiptar.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.