Lajmet e fundit

Në bankën e të pandehurit, Morina u paraqit pas kërkesës së Prokurorisë Speciale. Pas një seance që zgjati katër orë, gjykata vendosi ndaj tij masën e paraburgimit prej një muaji, për shkak të dyshimeve për përfshirje në Masakrën e Burimit gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 31 mars 1999, Morina ka qenë pjesëmarrës në krime lufte në fshatin Burim të Malishevës, përfshirë edhe në vrasjen e 34 civilëve.
Gjykata ka vlerësuar se, nëse i dyshuari do të lihej i lirë, ekziston rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët dhe pengimit të procesit gjyqësor. Po ashtu, për shkak të faktit që Morina ka shtetësi dhe vendbanim të përhershëm në Serbi, ekziston rreziku real i arratisjes.
Avokati i tij, Arianit Koci, u paraqit në seancë, por nuk dha deklarata për mediat, përveçse konfirmoi se është mbrojtës i autorizuar i Morinës.
Ramadan Morina u arrestua më 12 gusht në Prishtinë, një ditë pasi kishte hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Bërnjak. /Klankosova.tv