Unioni i Klubeve Futbollistike Shqiptare në Zvicër po vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt përfaqësimit të Kosovës.
Kryetari i këtij unioni, Feti Demolli, në një intervistë për KosovaPress, ka folur për punën që po bëhet në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, për sukseset konkrete me lojtarë të rinj, si dhe për interesimin gjithnjë e më të madh të talenteve nga diaspora për të zgjedhur Kosovën.
Ai ka zbuluar se aktualisht janë në bisedime për një talent të jashtëzakonshëm 14-vjeçar që aktivizohet në një akademi të njohur në Francë, duke e cilësuar atë si një lojtar me potencial të madh.
Sipas tij, ekziston një garë me Zvicrën për sigurimin e këtij futbollisti, por ka optimizëm se ai do të zgjedhë Kosovën në të ardhmen e afërt, derisa nuk ka pranuar të zbulojë më shumë detaje.
“Në verë i kemi edhe dy kampe të tjera që vijnë prej Kosovës trajnerët për t’i marrë lojtarët dhe tani e kemi një lojtar të jashtëzakonshëm që besoj se nuk është mirë ta bëjmë publike sepse jemi në diskutime dhe ne kemi ‘luftë’ me Zvicrën për ta marrë që do të thotë se është një talent i jashtëzakonshëm, kemi shumë, por njëri prej tyre është që vjen direkt në Kosovë. Është një 14 vjeçar që vjen direkt në Kosovë. Është një 14 vjeçar por është talent i jashtëzakonshëm që luan në Lyon dhe luan mbrojtës, në akademinë ku ka dal Kylian Mbappe, Thiery Henry, është i jashtëzakonshëm, është zgjedhur njëri prej lojtarëve më të mirë për pjesën e Francës në Gjenevë”, zbuloi Demolli.
Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin institucional dhe procesin e përzgjedhjes së lojtarëve, Demolli ka theksuar se unioni, së bashku me Federatën e Futbollit të Kosovës, është i autorizuar për grupmoshat që i sjell në Kosovë.
Ai ka përmendur se disa nga emrat e njohur tashmë, si Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, janë rezultat i drejtpërdrejtë i këtij angazhimi të përbashkët.
“Ne si Union, bashkë me Federatën, jemi të autorizuar për grupmoshat që i sjellim në Kosovës. Njëri prej tyre ka qenë edhe Leon Avdullahu bashkë me Albian Hajdarin, është produkt edhe i Unionit të Klubeve Shqiptare edhe besoj që jo vetëm tani prej kësaj loje por shumë më herët e kemi përkrahjen e prindërve dhe fëmijëve në drejtim vetëm të Kosovës”, theksoi Demolli.
Ai ka folur për ndryshimin e madh që ka ndodhur viteve të fundit në preferencat e talenteve të rinj. Demolli thotë se Kosova tashmë është bërë zgjedhja e parë për shumicën e futbollistëve të rinj shqiptarë në diasporë. /klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.