Kosova ka pësuar humbje nga Qiproja me rezultat 67:88 (17:18, 16:22, 20:23, 14:25), në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që po zhvillohet pikërisht në Qipro.
Kosova e nisi ndeshjen për mrekulli, me një seri prej 6:0, por shpejt u kundërpërgjigjen qipriotet, duke kaluar në epërsi 6:7, megjithatë, vashat e Kosovës sërish arritën të shkëputen në gjashtë pikë, 17:11, por më pas kishin një rënie, duke e përmbyllur çerekun e parë 17:18.
Qipro vazhdoi me lojë të mirë, duke u shkëputur edhe më shumë 17:26, që ishte epërsia më e lartë, por më pas dardanet ngushtuan shifrat, megjithëse skuadra vendase ishte në epërsi gjatë kësaj periudhe, kurse pjesa e parë përfundoi me shifrat 33:40.
Në periudhën e tretë, epërsia më e lartë e Qipros shkoi deri në 13 pikë, 39:52, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 53:63, transmeton Klankosova.tv.
Basketbollistet e Kosovës u munduan në dhjetë minutat e fundit, por pa ia arritur qëllimit dhe pësuan 67:88.
Te Kosova u dalluan Era Shatri me 17 pikë e tetë kërcime, Saranda Daci me 15 pikë e 11 kërcime dhe Astera Tuhina me 16 pikë e katër kërcime.
Ndeshja e ardhshme dhe e fundit për Kosovën do të jetë të shtunën ndaj Norvegjisë nga ora 15:00.
●●●
LISHKRIMI NGA
L I
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.