Balerinët Sead Vuniqi dhe Teuta Krasniqi përmes magjisë së vallëzimit do t'i thonë "Lamtumirë" dhe "Rifillim" publikut në festivalin "Graz Tanz" në Austri.
Dyshja do të performojë për herë të parë në 30 vjetorin e themelimit të këtij festivali me shfaqjen "Exil" të koreografit Eno Peçi.
Balerini Sead Vuniqi në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv ka thënë se "Exil" është realizuar në vitin 2019 dhe ka për tematikë eksodin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria në vitet e 90-ta.
Sipas tij, në të paraqitet një histori shumë personale, mbresëlënëse dhe thellësisht prekëse.
"Shfaqja ka të bëjë me lamtumirën dhe rifillimin, për largimin në të panjohur, të rrëfyer poetikisht përmes magjisë së vallëzimit".

Trupa e Baletit të Kosovës për vite me radhë bashkëpunon me "Graz Tanz", duke prezentuar shfaqje të ndryshme.
Vuniqi ka deklaruar se për të si balerin dhe për Trupën e Baletit të Kosovës është një kënaqësi e madhe që të jenë pjesë e këtij festivali.
"Për ne si trupë e Baletit të Kosovës është një kënaqësi shumë e madhe të paraqitemi në një vend siç është Austria, me shfaqjen tonë të baletit duke ditur se arti në përgjithësi atje është shumë i respektueshëm dhe e kanë një mbështetje të madhe dhe një respekt të veçantë".
Kosovarët do të performojnë para publikut austriak tri ditë radhazi më 18, 19 dhe 20 korrik, ku do t'i kenë katër paraqitje, njofton Klankosova.tv.

●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.