Lajmet e fundit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit Kulturor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Kroacisë.
Marrëveshja është nënshkruar në Zagreb.
Pas firmosjes së ujdisë Shala dhe homologu i tij kroat, Zlatko Hasanbegoviq biseduan për një varg çështjesh të interesit të përbashkët, si dhe për nevojën e rritjes të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Ata u shprehën se Kosova dhe Kroacia kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm kulturor, por kjo marrëveshje e sotme e natyrës politike, këtij bashkëpunimi i jep dimension tjetër, sepse raportet ndërmjet këtyre dy shteteve rregullohen dhe marrin karakter shtetëror.
Po ashtu, Shala e Hasanbegoviq nënvizuan se kjo marrëveshje protokolare i rregullon raportet në fushën e kulturës dhe do të pasohet me bashkëpunim konkret ndërmjet institucioneve të kulturës së dy vendeve.
Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor e cila është nënshkruar sot synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve nacionale në fushën e kulturës, përmes aktiviteteve që kontribuojnë në njohjen më të mirë të dy vendeve, përmes respektimit të të drejtave dhe detyrimeve të përfshira në traktatet ndërkombëtare, transmeton Klan Kosova.