Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në debatin publik për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandolli në pjesën e Komunës së Vushtrrisë dhe Podujevës.
Në debatin e sotëm me përfaqësues të Kompanisë “Hidrocom” sh.p.k., përfaqësues të komunitetit, grupeve të interesit, anëtarë të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, Bulliqi tha se kompania “Hidrocom” sh.p.k., duke shpërfillur plotësisht vendimet e Komunës, e cila dy herë ka refuzuar ta pajisë këtë kompani me leje mjedisore, ka marrë pëlqim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për realizimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit, në rrjedhën e lumit Kaçandolli, në territorin e Komunës së Podujevës.
“Kompania në mënyrë të njëanshme, duke bashkëpunuar vetëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe pa lejen e Komunës së Podujvës, për të cilën është refuzuar dy herë, ka filluar procedurat e realizimit të projektit. Prandaj edhe na ka detyruar neve si Komunë të ushtrojmë padi për ta kundërshtuar formën arbitrare të dhënies së këtij pëlqimi mjedisor nga MEA”, tha ai.
I pari i Podujevës tha se edhe forma e organizmit të këtij dëgjimi publik, krejt formale dhe pa bashkëpunim me banorët e këtyre fshatrave, është tregues i qartë i përpjekjes për fillim të heshtur të realizimit të këtij projekti, i cili dëmton ambientin-pasurinë natyrore të këtyre fshatrave.
“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projekt, për të cilin kemi edhe përkrahjen e banorëve të kësaj pjese. Orientimi ynë është që për këto zona të ofrojmë investime që përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin investime në zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe asesi nuk lejojmë projekte që shkaktojnë degradim mjedisor”, tha kryetari Bulliqi.
Edhe përfaqësuesi i fshatit Popovë, Muhamet Murati, në emër të banorëve të fshatrave përgjatë lumit Kaçanoll, tha se në asnjë rast nuk është konsultuar komuniteti dhe shprehu kundërshtimin e tyre për realizmin e këtij projekti, i cili bie ndesh edhe me Strategjinë lokale për zhvillim të Turizimit, strategji për të cilën kanë kontribuar këta banorë.
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë, “Hidrocom” sh.p.k., Adnan Elshani, tha se kompania në fjalë sipas legjislacionit në fuqi ka organizuar këtë debat. Ai tha pëlqimi mjedisor është marrë sipas kritereve të ministrisë.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.