Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka reaguar pas humbjes spektakolare 5-4 ndaj Paris Saint-Germain në ndeshjen e parë gjysmëfinale të UEFA Champions League.
Pavarësisht se u mposht në përballjen e parë kundër francezëve, Kompany shprehet optimist për përmbysjen në ndeshjen e kthimit.
Belgu, i cili e ndoqi sfidën nga tribunat për shkak të një pezullimi, theksoi se një ndeshje e tillë ishte e pritshme duke parë stilin ofensiv të të dyja skuadrave.
“Kur dy ekipe hyjnë në një ndeshje me këtë mentalitet, atëherë ndodhin pikërisht këto gjëra. E kisha një ndjesi se një përballje e tillë ishte e mundur. Sigurisht, kur pëson pesë gola në transfertë, zakonisht gjysmëfinalja konsiderohet e mbyllur. Por ne shënuam katër dhe mund të kishim realizuar edhe një, dy apo tre gola të tjerë. Tani e dimë: ndeshja e kthimit është në shtëpinë tonë dhe duhet të fitojmë. Këtë e kemi bërë shpesh dhe me mbështetjen e tifozëve tanë, besimi është aty”, u shpreh ai.
Trajneri shtoi se skuadra do të japë maksimumin për të arritur kualifikimin në finale.
“Do të japim absolutisht gjithçka, çdo gjë që kemi, edhe nëse duhet të vdesim në fushë. Ne besojmë. PSG nuk do të ndryshojë mënyrën e lojës, dhe as ne. Kështu janë të dyja ekipet. Shpresoj që në fund të jemi ne fituesit.”
Ai komentoi gjithashtu penalltinë e akorduar për kundërshtarin, duke e cilësuar si një vendim të diskutueshëm.
“Penalltia kundër nesh ishte shumë e diskutueshme. Topi fillimisht goditi trupin dhe më pas krahun”, përfundoi Kompany.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.