Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para ndeshjes miqësore me Guinenë.
Në këtë ndeshje Dardanët do të paraqiten me futbollistë që shihen si potencial për ekipin në ardhmen.
Gjatë kësaj stërvitje përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, është përqendruar kryesisht në aspektin tekniko-taktik, duke u shpjeguar futbollistëve elemente dhe skema të ndryshme të lojës.
Edhe gjatë stërvitjes së sotme atmosfera tek futbollistët dardanë ishte shumë e mirë, ashtu sikurse edhe përkushtimi në punë dhe harmonia brenda ekipit.
Challandes pas stërvitjes tha se Kosova do të luajë me një nga kombëtaret më të forta të Afrikës.
Ai theksoi se "Dardanët" janë të gatshëm dhe se këtë do ta tregojnë në fushë.
“E kemi nisur këtë kamp stërvitur për dy ndeshjet e radhës, me një ekip krejtësisht të ri. Nuk ishte aspak lehtë të gjenim lojtarët për këto ndeshje në këtë kohë. Do të luajmë kundër dy ekipeve të forta nga Afrika. Guinea është në Top 20 në Afrikë dhe ka luajtur ndeshje të mirë me Turqinë 0:0. Kundërshtar i fortë, fizikisht, teknikisht e taktikisht. Për lojtarët tanë të rinj është një përvojë e vështirë, por ne mund të mësojmë nga situatat e tilla. Do të jetë mirë t’i shohim lojtarët në situata të tilla dhe të japim një përgjigje si ekip sepse individualisht nuk është aspak e lehtë. Ndeshjet e forta fizike mund të jenë të rrezikshme, por ne jemi munduar të bëjmë përgatitjet e duhura për këto dy ndeshje. Besoj se jemi të gatshëm dhe këtë do ta tregojmë në fushë”.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.