Klubi gjerman MHP Riesen Ludwigsburg pas ndeshjes që e pati me KB Trepçën ka thënë se tifozët e Torcidës kanë dhënë një shou të jashtëzakonshëm në lojën e para dy ditëve.
Në një njoftim të lëshuar në rrjetin social Facebook thuhet se sezoni aktual u ka dhuruar shumë kënaqësi, fillimisht para tre javësh në Mitrovicë dhe mbrëmë në MHPArena.
"Në këtë atmosferë të bukur, rreth 600 tifozë kosovarë-shqiptarë kontribuuan padyshim për ta bërë ngjarjen edhe më të veçantë. Përballjet e para historike mes dy klubeve ishin të jashtëzakonshme. Gëzohemi shumë që mund të ketë një vazhdim të këtyre takimeve në të ardhmen. Faleminderit, KB Trepça!”, thuhet në njoftimin e klubit në fjalë.
Trepça u mposht me rezultat 87:54 nga MHP Riesen Ludwigsburg.
Skuadra nga Mitrovica kishte përkrahje të konsiderueshme nga bashkëatdhetarët në palestër, por kjo ishte e pamjaftueshme për fitore.
“U munduam ta nxjerrim më të mirën, por sot ekipi kundërshtar ishte më i mirë se ne. Na mbetet të punojmë më fort për ndeshjet e ardhshme dhe të përmirësojmë performancën tonë. Pavarësisht rezultatit, embelsira e mbrëmjes ishin shqiptarët që na përkrahën pa pushim”, thuhet në reagmin e klubit pas ndeshjes.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.