Kush do ta kishte besuar, atje në verën e vitit 1999, kur lufta mori fund në Kosovë, me hesape krejtësisht të pastra për te, për shkaktarët e saj dhe viktimat e shumta civile, (dhe këto ishin vlerësime ndërkombëtare dhe jo vetëm tonat), që një çerek shekulli e më shumë më vonë, me 17 shkurt të vitit 2026 do të mblidhen dhjetëra mijëra veta në Prishtinë në mbrojtje të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Ishte kjo ditëlindja e 18-të e shtetit të Kosovës (i cili edhe për këtë shkak nuk mund më të quhet si shtet i ri), dhe preteksti për një tubim të këtillë proteste me moton ‘Drejtësi dhe jo politikë’ ishte faza përfundimtare e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Verdikti i këtij gjykimi pritet të shpallet për tre deri në katër muaj.
Kush do ta kishte besuar, pastaj, që te të katërtit që janë në bankat e të akuzuarve në Hagë më shumë se pesë vjet, thuaja gjithë fjalën finale të tyre të dhënë para trupit gjykues, do t’ia kushtonin justifikimit dhe shpjegimit pse ata (dhe shumë të tjerë që ishin pjesë përbërëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), morën armët për t’iu kundërvënë okupimit më të egër në zemër të Evropës në vitet e nëntëdhjeta.
Ishte llogaritur pra qëmoti që gjithçka ka marrë atë epilogun e duhur kur bëhet fjalë për luftën e popullit shqiptar në Kosovë në vitet 1998, 1999.
Po mos të ishte kjo luftë e drejtë dhe po mos të vepronte Serbia e Slobodan Miloševićit ashtu siç ka vepruar, duke shkelur në mënyrë të pamëshirshme të drejtat e gjithë një populli në Kosovë, nuk do të kishte fushatë të Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë dhe në Serbi, në pranverën e vitit 1999.
Po mos të kishte gatishmëri të Delegacionit të Kosovës që mori pjesë në Konferencën e Rambouilletit, (shkurt, mars, 1999), për ta pranuar Marrëveshjen e Propozuar nga Grupi i Kontaktit (ku merrte pjesë edhe Rusia asokohe, së bashku me pesë shtetet kryesore perëndimore), nuk do të ngriheshin aeroplanët e Paktit NATO për ta shpëtuar një popull.
Ne si popull, në atë pranverën e atij viti kemi qenë të kërcënuar nga shfarosja. Këtë e dimë ne, këtë e ka ditur Perëndimi në atë kohë.
Dhe po mos të ishin këto vlerësime në fuqi në Washington, në Bruksel dhe gjetiu ndër kryeqendrat perëndimore, jo që nuk do të mbërrinte kurrë paqja në Kosovë, por asnjëherë Kosova nuk do të bëhej shtet pavarur, me 17 shkurt të vitit 2008.
Zyrtarët e Serbisë, siç u pa edhe ditëve të fundit, po llogarisin që katër ish zyrtarët e lartë t UÇK-së, do të dënohen me dhjetëra vite burg, dhe në këtë mënyrë, do të kontestohet i gjithë ai rrugëtimi i gjithë një populli drejt lirisë dhe pavarësisë, apo, që do të kriminalizohet e tëra kjo përpjekje e shqiptarëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe vet shtetin e Kosovës.
Nuk ka dyshim që pushteti i Serbisë i Presidentit Aleksandar Vučić e ka këtë dëshirë dhe do ta shfrytëzojë maksimalisht për qëllime të veta epilogun e këtij gjykimi, nëse ai do të jetë në përputhje me pritjet dhe synimet e pushtetit të Beogradit.
Kush do ta besonte që do të mund të vinim në këtë situatë atje në verën e vitit 1999. Sërish duhet ta pyesim veten.
Zëri i gjithë atyre qytetarëve të Kosovës të cilët u mblodhën të martën e kaluar në sheshet e Prishtinës, ishte i sinqertë, i kumbueshëm, i drejtë.
Si shumë hera të tjera në këtë historinë e rëndë të këtij populli, e vërteta u dashtë të shfaqet dhe të shprehet shesheve të Prishtinës.
Kemi, siç e dimë, një mori dallimesh politike në mes nesh. Jemi të ndarë në parti, në votues dhe abstenues, në përkrahës dhe kritikues, në ithtarë dhe në cinik.
Gjithqysh jemi të ndarë këtë e dimë.
Ama kur bëhet fjalë për rëndësinë sipërore të Lëvizjes politike për pavarësi dhe të luftës çlirimtare për lirinë e Kosovës, këtu jemi gjithë së bashku. Siç u pa zaten ditëve të fundit.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.