Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive e ka dënuar dhunën që ndodhi këtë fundjavë në dy raste të ndryshme në futbollin profesionist të Kosovës.
“Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive e ka përcjellë me shqetësim dhunën e shfaqur dje në ndeshjen e futbollit ndërmjet KF Gjilanit dhe KF Ballkanit dhe e dënon ashpër dhunën e ushtruar nga tifozët e KF Gjilanit ndaj portierit të KF Ballkanit”, thuhet në komunikatën e këtij këshilli.
“Përgëzojmë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për reagimin e tyre të shpejtë, që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për këtë incident të rëndë, ku dy prej tyre janë për vepra penale, ndërsa të tjerët për kundërvajtje”.
Këshilli u ka kërkuar federatave dhe klubeve sportive kosovare, por sidomos organizatorëve, që ta zbatojnë rregulloren dhe kriteret teknike gjatë procedimit të aprovimit të objekteve të caktuara sportive kur zhvillohen ngjarje sportive.
“Këshilli kërkon nga të gjitha federatat dhe klubet sportive në Kosovë dhe në veçanti nga të gjithë organizatorët e ngjarjeve sportive, që të zbatojnë me përpikëri rregulloret dhe kriteret teknike gjatë procesit të aprovimit të objekteve të caktuara sportive për zhvillimin e ngjarjeve sportive”.
“Gjithashtu, këshilli kërkon nga federatat, respektivisht komisionet përkatëse për aprovimin teknik të objekteve sportive, si edhe delegatët që caktohen nga organizatat sportive për drejtimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të ngjarjeve sportive, që në rastet kur nuk ofrohen kushtet adekuate të sigurisë, të mos lejojnë prezencën e tifozëve, apo sipas nevojës, të mos lejojnë zhvillimin e ngjarjes sportive pa u plotësuar kushtet përkatëse”.
Ky këshill e ka dënuar dhunën edhe në përballjen mes Bashkimit dhe Besës në Ligën e tretë, ku futbollistët e Bashkimit e kanë sulmuar fizikisht referin e takimit.
“Këshilli dënon edhe dhunën e shfaqur dje në ndeshjen e futbollit të Ligës së tretë (ndeshja e vlefshme për javën e 13-të), ndërmjet Bashkimit dhe Besës, me ç’rast futbollistët e skuadrës së Bashkimit nga Krusha e Madhe e Rahovecit kanë sulmuar fizikisht gjyqtarin e kësaj ndeshjeje, me ç’rast ka qenë e nevojshme ndërhyrja e Policisë së Kosovës”.
Ata kanë kërkuar që të shqiptohen dënimet adekuate për ata që ishin përgjegjës për veprimet huligane.
“Këshilli kërkon nga organet përkatëse në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, që me përkushtim maksimal të analizojë dhe të vlerësojë gjithçka që ka ndodhur gjatë incidenteve të djeshme dhe konform dispozitave përkatëse të shqiptojnë dënimet adekuate për përgjegjësit e ngjarjeve të djeshme.”
“Këshilli është i përkushtuar maksimalisht që, në koordinim me të gjitha institucionet përkatëse ligjzbatuese, të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i mbajtur huliganët jashtë fushave të sportit, ndërsa portierit të sulmuar të KF Ballkanit i uron shërim dhe rikthim të shpejtë në fushën e lojës”.
“Këshilli iu bën thirrje të gjitha federatave, klubeve sportive, organizatorëve të ngjarjeve sportive, si dhe grupeve të tifozëve që të distancohen nga të gjitha format e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive dhe të ofrojnë bashkëpunim me këshillin si dhe organet tjera shtetërore për t’i parandaluar këto dukuri negative”.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.