Klubi basketbollistik KEK-u është afër një momenti historik për ta.
Kjo skuadër e mposhti sonte Grapeland Rahovecin në ndeshjen e parë finale të zhvilluar në palestren "Mizahir Isma", me rezultat 69-78, duke bërë një hap shumë të madh drejt inkuadrimit në Superligën e basketbollit, njofton Klankosova.tv.
Anise rahovecasit ishin më të mirë, pasi kampionatin e Ligës së Parë e përfunduan me 13 fitore e veç një humbje, duket se kohën e fundit janë obiliqasit ata të cilët janë komponuar më mirë, pasi edhe disfatën e vetme kundërshtarit të tyre në sezonin e rregullt, ia shkaktuan pikërisht këta.
Tani KEK-ut i mjafton veç edhe një fitore ndaj Grapeland në ndeshjen e dytë finale, për ta siguruar biletën e madhe e cila e bën pjesë të elitës basketbollistike të Kosovës, raporton Klankosova.tv.
Mysafirët sonte e nisën mbarë takimin, duke fituar 10 minutëshin fillestar 17-21, kurse vendasit u rikthyen në çerekun e dytë, 17-12, për të shkuar në pushim me një pikë avantazh, 34-33.
Megjithatë, ishte perioda e tretë ajo që i dha vulë ekipit fitues, pasi KEK-u arriti të realizojë 23 pikë, duke pranuar vetëm 7 sosh.
Edhe pse vendasit e mbyllën fraksionin e fundit, 28-22, nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen.
Reggie Clark ishte lojtari më i dalluar me 25 pikë, 5 kërcime e 4 asistime, kurse te rahovecasit më i miri ishte Albin Berisha, me 22 pikë e 5 kërcime.
●●●
KRSHKRIMI NGA
kushtrim reshitaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.