Lajmet e fundit

Bashkimit i mbeti peng tituli që i rrëshqiti nga dora. Ata e kanë lëshuar dorën edhe sivjet me tranferime.
Arpaxhikët transferuan Isaiah Cousinsin, MVP i ligës ENBL për sezonin e shkuar e që kishte shkëlqyer në kampionatin sllovak.
De’Quon Lake është lojtari tjetër që ka ardhur në “Sezair Surroi”, i cili zanatin e ka ushtruar në Hungari, NBA G-League, Bjellorusi, Poloni e me radhë.
Jeremiah Bailey është amerikani tjetër që përforcon radhët e Bashkimit. Bailey vjen nga liga portugeze, gjegjësisht klubi Sporting CP, me të cilët kishte marrë pjesë në FIBA Europe Cup.
Kyan Anderson është emri tjetër, dhe nga ky organizator pritet të dalë në pah përvoja e tij në Gjermani, Francë, Hungari e Turqi, e madje edhe përvoja sa ishte në Kosovë herën e parë te Z-Mobile Prishtina.
Mbi të gjitha, Bashkimi ka marrë edhe trajner të ri, duke nënshkruar me Igor Jovoçiqin, dy herë gjysmëfinalist i ABA League më 2012 dhe 2015, ndihmëstrajner në Euroligë te Bayern Muncheni, mes tjerash.
Pa dyshim, klubi më i madh në vend është në kërkim të lavdit dhe të titullit pas gjashtë vjetësh.
Ata kanë bërë hiç më pak se shtatë transfere deri tani, si me lojtarë vendorë ashtu edhe me të huaj.
Nga lojtarët shqiptarë ata kanë marrë Dion Haxhosajn, Arian Azemin, Valmir Kakrukin dhe kanë kthyer Don Polloshkën.
Ndërkaq, Kelby Kramer, Autrey Lamb dhe Deondre Burns janë treshja e huaj që ka ateruar në Prishtinë.
Për më tepër, Plisat kanë marrë për trajner Michalis Kakiouzis, legjendën e basketbollit grek i cili si trajner shquhet për suksesin në Qipro ku u shpall kampion shtetëror me Keravnosin.
Një tjetër klub ikonik i basketbollit kosovar ka shfaqur ambicie në merkaton e sivjetme.
Peja ka marrë në radhët e veta qendrën Cesare Edwards i cili ka qenë pjesë e Georgia St. University në ligjën e kolegjeve në ShBA, NCAA1.
Skyler Flatter është lojtari tjetër, i cili gëzon përvojë në Turqi, Suedi, Katar e së fundmi edhe në PAOK e Lavrio, dy klube greke.
Shqiponjat kanë transferuar po ashtu lojtarin shqiptar, Edward Beqirin, i cili karrierën e ka zhvilluar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më saktësisht në City College.
Dequan Morris është amerikani tjetër që vjen te Peja, por ai nga Superliga e Zvicrës.
Pejanët po ashtu kanë marrë në radhët e veta edhe Tajh Greenin i cili ka luajtur në Britani të Madhe dhe Gjermani më parë.
Pos tyre, Peja ka vazhduar kontratat e Malcolm Armsteadit dhe Musab Malës, teksa për trajner ka emëruar amerikanin Greg Gibson, i cili është shpallur katër herë kampion i Finlandës.
Pak më e zbehtë – së paku në krahasim me klubet e lartpërmendura – po duket merkatoja e dy herë kampionit, Golden Eagle Yllit, deri në këtë pikë, ndonëse po festohet 50-vjetori i klubit.
Ata e kanë kthyer Erjon Kastratin i cili vitin e kaluar u shpall kampion me Trepçën.
Ndërkaq, suharekasit kanë transferuar edhe Lovre Bashiqin për sezonin e ardhshëm.
Së fundmi ata njoftuan për transferimin e Dwayne Cohillit i cili vitin e kaluar kishte shkëlqyer në kampionatin sllovak.
I gatshëm për të lënë gjurmë stinorin vijues është edhe klubi gjakovar, Vëllaznimi.
Ata kanë transferuar qendrën amerikane, Seth Pinkey, i cili ka dëshmuar veten në kampionatin qipriot dhe atë meksikan, teksa buron nga liga e kolegjeve amerikane, NCAA.
Pos tij, ata kanë blerë edhe kartonin e amerikanit tjetër, Jacob Young, që ka luajtur në NBA G-League, më saktësisht në klubet Wind City Bulls, Memphis Hustle, Texas Legends dhe Maine Celtics.
Pos dy lojtarëve nga ShBA-ja, Kuqezinjtë kanë marrë edhe Samir Zekiqin.
