Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi priti sot në takim sportisten e bowlingut, Kaula Haziri, e cila së bashku me trajnerin e saj mori pjesë në Kampionatin Mesdhetar të Bowlingut.
Krasniqi e përgëzoi Hazirin për suksesin e madh të arritur në Kroaci, ku ajo u shpall kampione në Mastersin e këtij kampionati, duke fituar medaljen e artë, transmeton Klankosova.tv.
Kaula Haziri u dallua në një garë me 30 pjesëmarrëse, duke u kualifikuar në fazën Masters së bashku me shtatë garuese të tjera.
Në ndeshjet me eliminim, ajo regjistroi tri fitore të rëndësishme, duke e çuar drejt titullit të madh.
Krasniqi vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e Kaula Hazirit, të cilat e çuan atë drejt këtij suksesi ndërkombëtar, dhe e inkurajoi të vazhdojë me rezultate të shkëlqyera në sportin e boulingut.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.