Lajmet e fundit

Çfarë ishte jetë e mirë për ju kur ishit fëmijë? Si e perceptonit atë para se të futeshit në këto përsiatje e lexime mbi mirëqenien dhe jetën e mirë?
Uau, çfarë pyetje interesante! Më pëlqen kjo perspektivë sepse fëmijët po që kanë pikëpamje ndryshe mbi botën, dhe tash që e bëtë pyetjen më bëtë të mendoj se ndoshta ka diçka që mund të mësojmë nga fëmijët në këtë kuptim, sepse për mua, dhe ma do mendja që për shumë fëmijë, kënaqësia, lumturia dhe mirëqenia si fëmijë kishte të bënte vetëm me të qenët i sigurt në gjirin e familjes, që t’i kishim pranë familjen, motrat dhe vëllezërit e kujdestarët. Dhe sa më të vjetër të vijmë e bëhemi, ne kondicionohemi që të duam gjëra të tjera në jetë: çfarë do të bëheni kur të rriteni, si do t’i ndiqni ato ëndrra? Edhe pastaj ne fillojmë, i biem kësaj rruge të së bërit të rritur, dhe kjo na largon nga ajo që është vërtet sekreti i mirëqenies e që është të pasurit lidhje të forta sociale.
Ju kishit një qasje etnografike në përkufizimin apo përshkrimin e jetës së mirë, mirëpo si ka ndikuar kjo qasje në konceptimin tuaj filozofik e psikologjik të jetës së tillë?
Edhe një tjetër pyetje shumë e mirë. Pjesë e idesë sime prapa këtij hulumtimi ishte: Hajde të shohim se çfarë nënkupton jeta e mirë në vende vërtet shumë, shumë të ndryshme. Dhe unë bëra punë terreni në Guatemalë, ku kam punuar një kohë të gjatë me fermerët majanë. Kam bërë punë terreni në Gjermani mes konsumatorëve të supermarketeve. Unë jetoj në Shtetet e Bashkuara, dhe disi e vërej ambientin këtu. Pjesë e asaj që më ka shpënë te kjo është që them se ne mendojmë për njerëzit në shtete të ndryshme, në shtete si Guatemala, le të themi shtetet e hemisferës jugore, që jetët e tyre janë aq të ndryshme nga tonat, dhe që rrethanat e tyre materiale janë aq ndryshe sa që ata shtyhen kryesisht nga nevoja, dhe ajo që kanë nevojë është të vënë ushqim mbi tryezë. Ata kanë nevojë për siguri fizike për familjet e tyre në një kontekst të dhunshëm apo diçka e tillë. E megjithatë, në të vërtetë unë gjithmonë kam parë ca ngjashmëri në ato që njerëzit donin nga jeta. Pashmangshëm, prindërit duan diçka më të mirë për fëmijët e tyre, dhe siç ju thatë, se cila është më e mira dallon nga kultura në kulturë, mirëpo njerëzit duan diçka më shumë për fëmijët e tyre, dhe njerëzit duan ta kenë një sens të dinjitetit në jetët e tyre, që ajo drejt së cilës po punojnë vlerësohet nga shoqëria. Duke shikuar në të gjitha këto kontekste të ndryshme, njëmend doli që ka po aq ngjashmëri sa ka dallime në atë që njerëzit e duan nga jeta.
A ka diçka absolute rreth jetës së mirë? Sepse shohim që jeta e mirë dallon nga konceptimi në konceptim?
Po, mendoj që një pjesë e madhe e saj është në të kërkuarit e saj. Është vështirë të thuash ndonjë që është universal marrë parasysh larushitë e kulturave dhe rrethanave në botë. Mirëpo po, mendoj që të kërkoni diçka më shumë nga jeta, çfarëdo që të jetë ajo, është shumë e rëndësishme. Për ta vënë në perspektivë, çfarëdo që të jetë: një punë më e mirë, një veturë e re, një familje, çfarëdo që të jetë – të punuarit drejt arritjes së atyre gjërave na jep sa e sa shumë kuptim në jetët tona. Unë do t’i kthehesha po ashtu një tjetër gjëje të rëndësishme dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për audiencat amerikane: Nuk ka të bëjë me individin, nuk ka të bëjë me ju që ju rritet paga në vendin e punës, nuk ka të bëjë me ju që merrni diçka, por ka të bëjë me ne. Prandaj, njëmend që një sens i mirëqenies gjithmonë përfshin njerëzit tjerë.
Ju e bëni dallimin midis jetës së lumtur dhe jetës së mirë. A mund të ketë jetë të mirë pa pasur një jetë domosdo të lumtur – por le të themi, vetëm një komode?
Një tjetër pyetje shumë e mirë. Mendoj ashtu, sepse ma do mendja që ajo që na jep kënaqësi afatgjatë në jetë, ajo që realisht na e përmirëson mirëqenien është të qenët të përkushtuar në diçka që është më e madhe se vetja jonë, e që mund të jetë një familje, mund të jetë një punë, mund të jetë një hobi apo ndonjë lloj vokacioni, çfarëdo që është, por që ne njëmend jemi të përkushtuar ndaj diçkaje më të madhe se sa vetja jonë individuale, dhe në këtë kuptim mund të përfshihet edhe të bërit diçka që është madje edhe trishtueshme ose që e bën jetën tuaj të parehatshme. Një shembull ekstrem do të ishin murgjit, sidomos në kohët e vjetra, të cilët privonin veten e tyre dhe jetonin ekzistenca të thjeshta. E megjithatë, mendoj që shumica e tyre po e bënin një gjë të tillë sepse kishin gjetur kuptim në diçka të tillë – ishte kuptimplotë për ta. Në fakt, shumë prej gjërave që na bëjnë përkohësisht të lumtur, nuk na përmirësojnë atë se kush jemi në afat të gjatë. Nuk është që duhet tv jenë të kundërta, mirëpo nuk janë domosdo e njëjta gjë.
Pse zgjodhët Gjermaninë dhe Guatemalën për këtë krahasim?
Kjo bazohet pjesërisht në lidhjet e mia personale. Kam punuar në Guatemalë për një kohë të gjatë dhe e njoh mirë atë shtet. Është një vend shumë interesant sepse është ende gjysmë-indigjen. Popullata është gjysmë majane. Bashkëshortja ime është nga Gjermania, ne kemi jetuar në Gjermani më parë, dhe e njoh disi kontekstin gjerman dhe kam menduar që ky krahasim do të ishte interesant. Pjesë e mënyrës përmes së cilës e bëra krahasimin ishte që kam punuar me fermerë majanë në Guatemalë bënin prodhime të cilat eksportoheshin kryesisht në ShBA, por edhe nëpër botë. Pastaj në Gjermani, kam punuar me konsumatorë supermarketesh, dhe kam parë se çfarë produktesh blinin. Kështu doli shumë mirë, kush po i kultivon këto gjëra që i hamë, dhe cilat janë rrethanat e jetëve të tyre, dhe se si kjo lidhet me neve që futemi në supermarket dhe zgjedhim produktet nga raftet.
A ju duket e befasishme që ndonëse të kërkuarit e jetës së mirë është më shumë një rrugëtim individual, ndodh pothuajse gjithmonë përbrenda komunitetit?
Po, sepse kemi shekuj të traditës sonë të përbashkët Perëndimore që na thotë se e gjitha ka të bëjë me individin dhe shumë gjëra të bukura kanë dalë nga kjo gjë. Një shqetësim me të drejtat individuale, një shqetësim me të drejtat njerëzore, e që mendoj se është njëri prej pasioneve tuaja po ashtu, një për sa i përket diversitetit në botë. Krejt kjo ka dalë nga iluminizmi evropian, dhe shumë gjëra të mira kanë dalë nga kjo, mirëpo në të njëjtën kohë ne u fokusuam aq shumë në individë dhe harruam për mënyrat përmes së cilave jemi të ndërlidhur. Mendoj që pandemia na e ka dëshmuar këtë si diçka të vërtetë, që ne jemi individë mirëpo një individ nuk mund ta mundë virusin SARS-CoV-2, apo jo? Nevojitet veprim kolektiv. Në mënyra të këtilla mendoj që ne po arrijmë ta kuptojmë që shumica prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballemi në botë sot, nga ndryshimet klimatike e deri te konfliktet ndërkombëtare, nuk janë probleme të thjeshta që kanë një zgjidhje të vetme e që vetëm një person mund t’i zgjidhë. Ato kërkojnë që ne të gjithë të punojmë së bashku. Dhe po, pjesë e saj është që ta kuptojmë që lumturia dhe mirëqenia jonë bazohet në lidhjet tona me njerëzit e tjerë dhe bazohet në botë.
Sa ndikojnë politika dhe historia në aspektin etnografik të jetës së mirë – për shembull, Shqipëria ka kaluar nëpër monarki, komunizëm dhe demokraci në më pak se 70 vjet? Si mund ta afektojë kjo perceptimin kulturor të jetës së mirë?
Pyetje shumë e mirë. Dhe shembull shumë i mirë i ndryshimeve dramatike në një periudhë shumë të shkurtër? 70 vjet apo jo? Kjo është një jetë e tërë ose që i prek disa gjenerata. Këto kontekste politike absolutisht që e kornizojnë mënyrën se si ne e përfytyrojmë një jetë të mirë. Unë do të argumentoja që njerëzit në botë janë gjithmonë duke aspiruar për diçka më shumë, për diçka më të mirë nga jetët e tyre. Mirëpo, nëse njëri është fshatar ose një shërbëtor i lidhur në një sistem në të cilin ka aristokratë të renditur, e që kulmon me mbret, atëherë horizontet e asaj se çfarë dikush mund të arrijë janë të kufizuara dhe dikush nuk mundet as të mendojë për mundësi të tjera sepse është e paarritshme. Kësisoj, politika në këtë mënyrë na e dëshmon se çfarë është e mundur dhe na e dëshmon se për çfarë mund të ëndërrojmë. Do të thosha prapë këtu, gjëra të mira kanë dalë nga tradita iluministe si heqja e monarkive dhe zëvendësimi i tyre me demokraci, mirëpo kjo gjithashtu na kondicionon se çfarë mendojmë se duam në një mënyrë shumë të caktuar, në një mënyrë të udhëhequr nga tregu.
Sa e vështirë është të jesh fer, i sinqertë dhe dinjitoz për ta siguruar një jetë të mirë, kur rruga është e shtruar me kompromise të dhimbshme në të shumtën e kohës?
Po, keni absolutisht të drejtë. Gjermania është edhe shembull i mirë, por edhe shembull i keq për arsyet që i potencuat. Ata e kanë paraparë në kushtetutën e tyre të drejtën për një jetë të dinjitetshme. Është disi e gatuar në sistemin tonë politik, mirëpo në shumë pjesë të botës, ta zëmë në Kosovë, Guatemalë, ShBA, nuk është e gatuar në sistemin tonë në të njëjtën mënyrë. Hamendësoj që përgjigja që njerëzit nuk duan ta dëgjojnë, mirëpo e cila është e vërtetë, është që diçka e tillë nuk është e lehtë. Nuk është fare e lehtë, dhe mendoj që ka një dëshirim për marifete që e bëjnë jetën e mirë, dhe ka shumë libra dhe video për tri sekretet drejt suksesit apo për shtatë metodat e arritjes së kënaqësisë. Ato mund të jenë indikacione që na ndihmojnë, mirëpo nuk janë të tilla – arti i vërtetë i kësaj është që duhet t’ balancojmë vlerat e ndryshme dhe mendoj që ne jemi bërë shumë të aftë në maksimizimin e tyre, në të mësuarit se si t’i maksimizojmë vlerat ekonomike: në rregull, kam një transaksion dhe do të provoj të nxjerr sa më shumë që është e mundur nga ajo. Mirëpo ne nuk jemi aq të mirë në të përkthyerit e vlerave tona për paanshmërinë apo solidaritetin tonë social, për drejtësinë apo dashurinë brenda këtyre termave ekonomikë, dhe sistemi kapitalist me të cilin po operojmë për momentin, mund ta dërrmojë ekonominë, dhe mund t’i dërrmojë të gjithë ata që duan të luftojnë për drejtësi, apo që duan të jenë njerëz të ndershëm dhe krejt kjo. Prandaj nuk është një përgjigje e lehtë. Mirëpo, mendoj që pjesë e problemit është që ne nuk po rrihemi mjaftueshëm me këtë pyetje. Si e përkthejmë dëshirën tonë për drejtësi në një buxhet të shtetit për shembull? Apo në buxhetin tonë individual? Nëse shkojmë në një dyqan ushqimor dhe provojmë që të vendosim, a të blejmë nga kooperativa lokale apo të blejmë diçka organike, apo të blejmë ndonjë produkt industrial? Se si i përkthejmë në terma ekonomikë vlerat tona për këtë lloj shoqërie të cilën duam të jetojmë. Nuk është e lehtë dhe kjo lyp Aristotelin të cilin gjithmonë e citoj, e i cili do ta quante urti praktike dhe që nuk ka një rregull - ne duhet ta zhvillojmë aftësinë tonë për t’i balancuar vlerat tona të ndryshme dhe t’i përkthejmë në një tjetër.
Pas luftës në Kosovë, shumë politikanë janë bërë të pasur përmes mënyrave të dyshimta. Ata janë akuzuar se e kanë kërkuar jetën e mirë në kurriz të komunitetit. A ka jetë të mirë pa komunitet? Apo sa e qëndrueshme është jeta e mirë nëse arrihet kësisoj?
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Mendoj që përgjigja e lehtë është që jo, nuk mund të ketë jetë të mirë pa komunitet, një jetë të rehatshme sigurisht. Njerëzit mund të akumulojnë miliona përmes metodave të dyshimta, e ndoshta edhe përmes metodave të rregullta, të kenë aeroplanë privatë në dispozicionin e tyre, dhe të gjitha këto gjëra ua bëjnë jetën shumë të rehatshme. Mirëpo kjo nuk ofron kuptim në vetvete. Mendoj që nevojitet komuniteti. Është lehtë të thuash që ka shumë pasanikë të palumtur, dhe tingëllon pak e pasinqertë për ta thënë. Mirëpo mendoj që është po ashtu e vërtetë, në kuptimin që shumë shpesh, sa më shumë pasuri që ka dikush, aq më vështirë bëhet që të krijohen lidhje sociale, posaçërisht në llojin e situatës korruptive për të cilën po flisni, sepse realisht, kujt mund t’i zini besë? Në mungesë të komunitetit, pasuria blen kënaqësinë, mirëpo jo mirëqenien.
Në Kosovë dhe në vendet tjera të varfra të Ballkanit, shumë të rijnë tani e konsiderojnë se jetën e mirë e arrijnë duke u shpërngulur në Perëndim. Çfarë mund të nxirrni nga kjo?
Kjo është një pyetje e madhe. Dhe është një tërheqje. Në njërën anë, njerëzit duan të arrijnë diçka më të mirë për veten e tyre dhe për familjet e tyre. Imigrimi shihet shumë shpesh si rrugë drejt kësaj gjëje. Është lehtë ta harroni çfarë ndryshimi dramatik është të imigroni diku, dhe dhimbja që përfshihet kur e bëni një gjë të tillë. Ka dhimbje, dhe do të ketë dhimbje përgjatë rrugës. Do të thosha, për rininë, ajo që u mungon është familja dhe komuniteti, e që është vërtet i rëndësishëm për mirëqenien afatgjatë. Ajo në të cilën ju po futeni është një periudhë e dhimbjes, së paku për një kohë derisa ta rehatoni veten në të njëjtën kohën. Kjo nuk do të thotë që askush nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë. Thjesht ne duhet të jemi realistë. Është lehtë të ëndërrosh për diku tjetër – që është më mirë në Angli. Ne e kemi këtë frazën, “bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër të gardhit. Duket gjithmonë më mirë atje. Paevitueshëm, diçka e tillë është e ndërlikuar. Për shembull, në situatë të dhunës, nxiten ndryshime për hir të sigurisë personale. Sigurisht, ne jemi të standardizuar për ta mbrojtur veten tonë, dhe nëse dikush ndihet në rrezik për jetë, dalja nga ajo situatë është përgjithësisht gjë e mirë.
Me globalizimin, a mendoni që jemi më afër arritjes së një ideje të përbashkët botërore të jetës së mirë pavarësisht se nga vijmë?
Do të shpresoja. Jam optimist në zemër. Edhe pse bota na jep shumë arsye që të mos jemi të tillë këto ditë, mirëpo do të dëshiroja të mendoja kështu. Kjo kërkon nga ne si botë që ta rimendojmë mënyrën se si po i bëjmë gjërat. Ne jemi ende të ngujuar në një sistem, dhe po i kthehem asaj që thashë më herët për iluminizmin dhe për traditën perëndimore që vërtet përqendrohet në individë dhe në individë që ndërveprojnë përmes tregjeve. Ne e kemi trashëguar këtë sistem që nuk po gjen lidhje me botën e ditëve të sotme. Sikur e kemi tërë qeverisjen globale të Kombeve të Bashkuara të bazuar rreth idesë së një personi të vetëm që fluturon në New York City, që ngreh dorën lart dhe flet në emër të të gjithë njerëzve brenda një regjioni të caktuar gjeografik, që flet për kurdët në Siri, që flet për imigrantët kosovarë dhe shqiptarë në Gjermani. Janë këto sisteme që janë të ndërtuara rreth një bote në të cilën nuk jetojmë më. Mendoj që ka shumë mundësi për momentin. Kovidi na e ka dëshmuar që ne kemi nevojë për përgjigje ndërkombëtare ndaj krizave. Mendoj që kriza klimatike na e ka dëshmuar këtë, që edhe konfliktet në botë e dëshmojnë një gjë të tillë, dhe është e frikshme. Ne duhet të mendojmë se si ta largojmë sistemin global të qeverisjes të cilin e kemi dhe ta zëvendësojmë me një tjetër që u shërben nevojave të njerëzve në shekullin XXI dhe të gjithë njerëzve në shekullin XXI.
Cili është kombinimi më i mirë i jetës së mirë – cilët përbërës do t’i përdornit? Solidaritetin, empatinë, unitetin, racionalizmin
Ju i përmendët disa prej fjalëve kyçe. Mendoj që është solidariteti, të jetuarit në një komunitet ose shoqëri ose shtet ku ka një sens real të angazhimit për solidaritet dhe për idenë që ne jemi krejt bashkë në këtë gjë. Që nuk jemi vetëm individë që po luftojnë me njëri tjetrin se kush po e merr një hise më të madhe. Prandaj mendoj që vlerat e tilla janë vërtet të rëndësishme në të njëjtën kohë, dhe nuk dua që ta mohoj rëndësinë e të ardhurave apo të standardit material të jetesës. Ne të gjithë kemi nevojë të hamë. Ne të gjithë kemi nevojë ta kemi një kulm mbi kokë. Prandaj do të doja të jetoja në një shoqëri ku ka një standard minimal të jetës ku nuk duhet brengosur se a është dikush i uritur, apo a ka ndokush shtëpi. Megjithatë, është edhe sensi i neve të gjithëve të përbashkuar, sensi i solidaritetiet, dhe mundësia që mund të eksplorojmë dhe të bëjmë gjëra në jetë. Është shumë mirë të kemi ëndrra, mirëpo ëndrrat realisht mund të na frustrojnë. Ëndrrat për një të ardhme më të mirë mund të na frustrojnë nëse nuk ka një rrugë që çon drejt asaj të ardhmeje. Mendoj që është vërtet e rëndësishme dhe në vizionin tim jeta e mirë do të ishte krijimi i shoqërive të caktuara. Prandaj këtë po e përshkruaj si shoqëri, se sa si strategji individuale që më pas ua lejon individëve që të përshtaten.
https://www.youtube.com/watch?v=ZKUKwqukGzw&t=696s