Mesjava sjell dramën finale të sezonit të rregullt në ProCredit Superligën e Kosovës, ku gjithçka mbetet e hapur dhe do të vendoset vetëm pas 40 minutave të fundit në parket.
Java e 28-të, njëherit e fundit e këtij edicioni para “Play-off”-it, pritet të japë përgjigje për të gjitha dilemat: nga skuadrat që do të sigurojnë pozitat më të favorshme, deri te ato që do të luftojnë për mbijetesë.
Gara për vendin e katërt është ndër më të nxehtat, ku Peja dhe Golden Eagle Ylli do të kërkojnë fitore vendimtare për të siguruar një përballje më të favorshme në çerekfinale.
Ndërkohë, po aq dramatike është edhe beteja në fund të tabelës. Sigal Prishtina aktualisht ka 37 pikë, vetëm një më shumë se Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi, duke lënë gjithçka të hapur për fatin e skuadrave që rrezikojnë rënien nga elita.
Ndërkohë, dy skuadrat e para tashmë kanë siguruar kualifikimin direkt në gjysmëfinalet e “Play-off”-it, derisa në çerekfinale do të përballen vendi i tretë me të gjashtin dhe vendi i katërt me të pestin. Të gjitha ndeshjet e kësaj jave pritet të sjellin emocione të mëdha, pasi çdo pikë mund të jetë vendimtare në një nga edicionet më të luftuara të viteve të fundit në basketbollin kosovar.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.