Ai është i gjatë. Edhe i madh. Edhe i fuqishëm.
Por, ka një kufi edhe për atë se sa shumë mund të bëjnë në lojën e basketbollit njerëzit me këto karakteristika.
Një kufi të tillë pati edhe për LeBron James. Dhe ky kufi nuk u tejkalua dot të martën mbrëma.
Lojtari më i mirë i NBA në dhjetë vjetët e fundit nuk ia doli ta bëjë realitet ëndrrën që ekipi nga Ihio, Cleveland, po e pret qëmoti. Cavaliersat humbën takimin e gjashtë të serisë së finaleve kundër Golden State Warriors 105 me 97. Për pasojë, nuk u bënë dot kampionë të ligës, as sivjet.
Në fakt, James bëri gjithcka që u desh për të fituar. Mbase bëri edhe më shumë se që i takoi. Ai shkëlqeu në finale, duke regjistruar një mesatare prej 35.8 pikëve, 13.3 kërcimeve dhe 8.8 asisteve në gjashtë ndeshjet e finales. E nga 48 minuta sa zgjat një takim, kur nuk ka vazhdime, LeBron i luajti 46.
Me gjithë këto shifra monstrume të tij, Cleveland humbi, me gjithë që pas ndeshjes së tretë, po udhëhiqte 2 me 1. Klubi nga Ohajo vuajti për shkak se tjerët nuk shfaqën as përsëafërmi lojë si James. Në fakt, dy yjet tjera të klubit, lojtarët all star - Kyrie Irving dhe Kevin Love u lënduan më herët.
"E dija që do të ishte vështirë. Unë nuk di që ndonjë kub tjetër ia doli të mbërrijë në finale të play off pa dy lojtarë all-star, e lere më të fitojë titullin", tha ai në një konferencë shtypi pas takimit, njofton NBA, transmeton Klan Kosova. "Në finale duhet bërë lojë të madhe. Pos kësaj, duhet edhe pak fat. Ne po luanim shumë mirë, por nuk patën fat".
Pavarësisht se nuk fitoi, e as nuk u shpall MVP i finaleve, James ka një arsye për të mos u ndjerë krejt i dërmuar e i dëshpëruar.
Me koshat e së martës mbrëma, ai u bë shënuesi i pestë më i mirë i finaleve në histori të NBA.
"Është kënaqësi të luash në finale të play offit...Nëse kam fat të jem përsëri në këtë fazë të garave, do të luaj me shumë kënaqësi, prapë", tha ai, me gjithë që e pranoi se humbjet nuk janë të lehta për t'i pranuar. "Dy herë nuk kam arritur në play off. Katër herë kam humbur në finale. Në fakt, mund të them se më parë do të preferojë të mos jem fare ne play off sesa të humb finalet. Humbja ne finale është zhgënjyese ".
LeBron James luan qe 12 vjet në NBA. Ai u fut në ligën profesionale nga shkolla e mesme, më 2003, kur kishte vetëm 18 vjet. Shtatë sezonet e para luajti për Cleveland, ndërsa më 2010 kaloi në Miami, me të cilin ekip fitoi dy tituj kampioni. Katër herë është shpallur MVP i ligës dhe dy herë MVP i finaleve. Njëherë është shpallur koshashënuesi më i mirë, ndërsa 11 herë ka qenë në ndeshjet all star të NBA, përderisa ka fituar edhe dy medalje të arta olimpike me SHBA.
Pos këtyre çmimeve, James është shënuesi më i mirë në histori të Cleveland Cavaliers.
https://www.youtube.com/watch?v=5BgkjjRGGdo
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.