Më 7 tetor 2023, mijëra terroristë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik pushtuan Izraelin dhe kryen tmerre barbare dhe të papërshkrueshme.
Në pogromin më të keq të kryer kundër hebrenjve që nga Holokausti, mbi 1200 njerëz u gjymtuan brutalisht, u dogjën të gjallë, u përdhunuan dhe u vranë. Familje të tëra – burra dhe gra, të rinj e të moshuar, foshnja dhe, po, të mbijetuar të Holokaustit – iu nënshtruan mizorive shumë të tmerrshme për t'u imagjinuar, por jo shumë të tmerrshme për të ndodhur. Në shënjestër ishin ambulancat dhe mjekët; njerëzit u dogjën, duke mos lënë asgjë përveç hirit apo dhëmbëve për t'i identifikuar; dhe shumë prej kufomave u përdhosën.
Më pas, me qëllimin e qartë të mbjelljes së frikës, mosbesimit dhe dëshpërimit të vazhdueshëm, rreth 240 izraelitë, duke përfshirë disa shtetas të huaj, u rrëmbyen – një shkelje e vazhdueshme e ligjit ndërkombëtar, për të mos përmendur moralin. Dhe ndërsa shkruaj, mbi 130 prej këtyre pengjeve mbeten në robëri, duke iu nënshtruar torturave fizike dhe psikologjike, duke përfshirë dhunën e mëtejshme seksuale.
Autorët e mizorive të 7 tetorit nuk u përpoqën të fshihnin krimet e tyre. Madje përkundrazi, ata i glorofikuan ato, duke shfaqur dhe transmetuar drejtpërdrejt aktet e tyre barbare në mediat sociale, sikur të ishin në pritje të mbështetjes që do të merrnin – dhe mjerisht morën. Emblematike e shthurjes ishte një telefonatë e një prej terroristëve, i cili me gëzim mburrej te nëna e tij: “Mami, vrava 10 hebrenj!”
E megjithatë, edhe pse pamjet e këtyre krimeve po transmetoheshin në mbarë botën, miliona anembanë globit – duke përfshirë shumë në botën myslimane dhe të ashtuquajturit “progresivë” në Perëndim – u përgjigjën me heshtje, mohim, justifikim dhe sulme ndaj hebrenjve në vendet e tyre. Ne pamë dhe dëgjuam standarde të dyfishta në lojë nga institucionet ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut, universitetet dhe nëpër rrugë shumë përpara se Izraeli të fillonte të përgjigjej ushtarakisht. Ne ishim dëshmitarë të kolapsit të moralit nëpër vende.
Në mënyrë tronditëse, kjo pasqyron gjerësisht përgjigjet ndaj Holokaustit, të cilat gjithashtu varionin nga heshtja në mohim, kontekstualizimi në justifikim – të gjitha justifikimet për vrasjen sistematike të hebrenjve. Edhe kur pati dënime për sulmet e 7 tetorit, ai shpesh shoqërohej nga një “por” kualifikuese.
Megjithatë, ndoshta përgjigja më shqetësuese ndaj mizorive ishte heshtja. Ishte ky dështimi për të dënuar pa mëdyshje barbaritetin e sulmeve që i hapi rrugën formave aktive të mohimit dhe justifikimit. Ne ishim dëshmitarë të heshtjes disamujore nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Udhëheqja e Autoritetit Kombëtar Palestinez nuk arriti të thoshte, “jo në emrin tim”. Dhe universitetet e Ivy League nuk arritën të dënonin përdhunimet, gjymtimet, vrasjet dhe rrëmbimet, duke folur për kontekstin.
Por heshtja është bashkëpunim, një akt i fshehtë që mundëson entitetet e terrorizmit gjenocidal dhe regjimet e tyre mbështetëse, të cilat deklarojnë hapur synimin për një zgjidhje përfundimtare dhe fundin e Izraelit – hebrenjve midis kombeve.
Dhe që nga sulmet, ne kemi dëgjuar një mohim të plotë se 7 tetori madje ka ndodhur, me pretendime se mizoritë ishin inskenuar, se ato ishin pjesë e një operacioni me “flamur të rremë” izraelit të kryer si pretekst për një sulm në Gaza, ose se shumica e izraelitëve u vranë nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Me fjalë të tjera, një përmbysje e realitetit për të paraqitur hebrenjtë si autorë dhe jo si viktima.
Kemi dëgjuar edhe mohim të pjesshëm. Pranim të sulmeve, por mohim të shtrirjes së mizorive, si dhuna sistematike seksuale.
E gjithë kjo të kujton “spektrin e mohimit” të dëshmuar në përgjigje të Holokaustit – duke përfshirë shtrembërimin, minimizimin dhe banalizimin. Ajo ka jehonë në kontekstualizimin e sulmeve të 7 tetorit, i cili kërkon të ofrojë mirëkuptim për autorët, duke i hapur rrugën justifikimit, duke e veshur vrasjen masive si “rezistencë”.
Të gjitha këto argumente tani janë bërë të zakonshme. Por është përgjigja nga institucionet dhe organizatat që u krijuan dhe u besuan për të mbështetur dhe mbrojtur rendin e bazuar në rregulla ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut që kanë qenë më tronditëse: Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e kontekstualizoi masakrën duke thënë se “nuk ndodhi në vakum”. Një ish-drejtor i Divizionit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut të “Human Rights Watch” kundërshtoi vërtetësinë e sulmeve të 7 tetorit dhe mizoritë e kryera.
Ndërkohë, presidentët e universiteteve amerikane nuk ishin në gjendje të përcaktonin nëse përcaktimi i gjenocidit të hebrenjve në “kontekstin” e 7 tetorit shkelte kodet e tyre të sjelljes, ndërsa përcaktimi për gjenocid të ndonjë grupi tjetër pothuajse me siguri do të ishte konsideruar një shkelje e tillë. Në vend të kësaj, një profesor i Universitetit Cornell u “ngazëllye” nga masakra; drejtori i qendrës së sulmeve seksuale në kampus në një universitet kanadez hodhi në dyshim nëse ishte kryer ndonjë dhunë seksuale më 7 tetor; dhe një kolumne në gazetën studentore të Universitetit Yale u redaktua për të hequr rreshtin “pretendime të pabazuara se Hamasi përdhunonte gra dhe ua preu kokën burrave”.
Nuk është çudi që një sondazh i fundit i Harvard-Harris në ShBA zbuloi se 66 për qind e të anketuarve të moshës 18 deri në 24 vjeç besonin se 7 tetori ishte gjenocid, ndërsa një 60 për qind befasues besonin se sulmi mund të ishte “i justifikuar”.
Në rrugë, protestuesit anembanë botës, duke përfshirë në vendet që e përcaktuan Hamasin një entitet terrorist, kanë justifikuar “rezistencën”, duke i bërë jehonë kartës gjenocidale të Hamasit me thirrjet e tyre “nga lumi në det” – dhe duhet vetëm një vështrim në një hartë të Izraelit për të kuptuar se kjo është një thirrje për asgjësimin e tij. Në mënyrë të pakuptueshme, spektri i përgjigjeve tani ka “legjitimuar” një cunami sulmesh antisemite – të hebrenjve dhe të gjithë atyre që mbështesin të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.
Dënimi pa mëdyshje – pa një “por” në fund të fjalisë – mbetet e vetmja përgjigje etike ndaj krimeve barbare të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit që u kryen më 7 tetor. Heshtja, mohimi, kontekstualizimi, justifikimi dhe çdo gjë në mes tregon për një kolaps tronditës të moralit, të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, të mekanizmave, institucioneve dhe parimeve të vendosura pas Holokaustit, në mënyrë që “kurrë më” të mos bëhej realitet.
Në mënyrë alarmante, ne jemi në një moment kurrë më – përsëri.
Shkrimi është botuar origjinal në Politico, ndërsa është përkthyer nga Klankosova.tv
Michal Cotler-Wunsh është e dërguara speciale e Izraelit për luftën kundër antisemitizmit. Ajo është një ish-deputete izraelite.