Lajmet e fundit

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka takuar drejtorët e klinikave, instituteve dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ai kërkoi nga drejtorët e klinikave që të shtohet kujdesi dhe komunikimi i mirë ndaj pacientëve.
“ Duhet të shtohet kujdesi dhe komunikimi më i mirë i stafit ndaj pacientëve, kërkoj nga ana juaj të merrni përgjegjësi dhe zotësi, kemi shprehë vullnet dhe gatishmëri, kërkoj më shumë zotësi nga ana juaj, jam aleat i juve, do të punoj me juve, kemi hapësirë, intelekt dhe pjekuri që të punojmë bashkërisht”.
Ministri, ceku disa prej investimeve që janë bërë dhe që janë në procedurë të realizimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë furnizimin me shtretër të ri , uniforma dhe çarçafë për klinikat e QKUK-së, pastaj renovimin e emergjencës së vjetër dhe furnizimi me pajisje për këtë klinikë.
Sipas tij, po punohet që të krijohen barnatoret nëpër repartet dhe klinikat e QKUK-së, në mënyrë që furnizimi të jetë më i mirë dhe të ketë mbikëqyrje më të mirë. Poashtu, po punohet në çështjen e brendimit, ku përfshihen informatat e përgjithshme me shenjat orientuese për klinikat dhe shërbimet që ofrohen.
Ministri i Shëndetësisë dëgjoi kërkesat e drejtorëve të klinikave për nevojën që kanë klinikat për investime, duke premtuar se do të angazhohet maksimalisht që investimet të jetësohen.
Naser Ramadani, kryesues i Bordit të SHSKUK-së, tha se Bordi Drejtues, në mbledhjet e rregullta ka filluar të ftojë për raportim edhe drejtorët e klinikave, me qëllim që për së afërmi të njoftohet me gjendjen, me theks të veçantë të punohet për reduktim të listës së pritjes së pacientëve.
Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, informoi drejtorët e klinikave se ambulancat specialistike të ortopedisë dhe fiziatrisë kanë filluar punën në objektin e ri me kushte dhe infrastrukturë moderne dhe shpejtë pritet të fillojnë punën edhe ambulancat tjera, transmeton Klan Kosova.