Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e kapitenit policor, Riza Murati, i cili është shef i sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.
Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Sipas komunikatës së inspektoratit, hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte dhe deklarata lidhur me veprimet hetimore, njofton Klankosova.tv.
“IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente”.
Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.
“Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në komunikatë.
Për nisjen e hetimeve ndaj Riza Muratit, Klan Kosova ka raportuar ekskluzivisht para mbi një muaji.
https://klankosova.tv/drejtori-i-drejtorise-kunder-trafikimit-me-njerez-ne-policine-e-kosoves-po-hetohet-per-dhune-ne-familje/
●●●
Shpërndaje këtë artikull
AH
SHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.