Ani se një vend i vogël Kosova dita ditës e po vërteton që është një burim talentësh nga fushat më të ndryshme të cilat vendet evropiane po i kërkojnë.
Nga emrat e njohur të muzikës është tenori nga Mitrovica, Granit Musliu.
Musliu është fitues i disa çmimeve që përfshijnë Grand Prix në konkursin Ars Kosova, fitues i çmimit të dytë të "Mozart Preis 2020" në Hamburg të Gjermanisë, fituesi i çmimit të dytë në konkursin “Jorhija Truja”, për të udhëtuar në masterklasat në Torino të Italisë me Anna Pirozzi.
Pasi kishte filluar studimet e tij zyrtare në Fakultetin e Arteve në Universitetin "Hasan Prishtina", në vitin 2019, Musliu kishte vazhduar shkollimin në “Hochschule fur Musik” në Hamburg.
Për të njohur më shumë rreth rrugëtimit të Musliut, Klankosova.tv ka intervistuar atë rreth të arriturave të tij në moshë të re, rreth perfomancave të tij në Itali, Gjermani, Francë, Angli, Shqipëri dhe për rolin e tij në Goffredo, në operën Rinaldo nga George Frideric…
INTERVISTA E PLOTË:
Kur keni filluar të merreni me muzikë?
Granit Musliu: Me muzikën jam njohur qysh nga mosha e re, natyrisht duke pasur babain muzikant, s’kishte si të mungonte prezenca e këngëve dhe muzikës së bukur shqiptare në familjen tonë.
Por të këndoj kam filluar rreth moshës tetë vjeçare.
Kush ka qenë përkrahja juaj gjatë rrugëtimit tuaj në këtë fushë?
Granit Musliu: Përkrahja më e madhe vjen në fillim zakonisht nga rrethi i ngushtë familjar, për t’u zgjeruar pastaj në individ dhe shoqëri të cilët përpos përkrahjes, të udhëheqin në sfidat dhe rrugëtimet e ardhshme, siç janë për mua profesoresha e parë e këndimit soprano Zana Abazi, soprano Elbenita Kajtazi si dhe profesoresha gjermane Caroline Merz.
A na flet më shumë rreth performancave tua që ju i cilësoni nga më të veçantat?
Granit Musliu: Çdo performancë dhe prezantim i një pune si solist është shumë i veçantë sepse ngërthen në vete një punë të madhe, dedikim dhe dashuri ndaj asaj që prezantoj para publikut. Por natyrisht se ka gjithmonë përformanca që janë më speciale, dhe për mua këto janë kur në publik janë prindërit e mi.
Sa ka qenë e vështirë depërtimi në arenën ndërkombëtare juaj duke qenë nga një vend i vogël siç është Kosova?
Granit Musliu: Depërtimi im në skenën evropiane nuk ka qenë mjaft i vështirë, sepse edhe përkundër kushteve jo ideale që ne kemi në Kosovë, talenti dhe kualiteti i muzikantëve të muzikës klasike dhe në përgjithësi, është shumë i lartë. Pastaj natyrisht, puna e madhe individuale është ajo që vulos zhvillimin dhe inkuadrimin në nivelin e lartë kulturor muzikor që ka në Evropë. Andaj me punë dhe vullnet, kam arritur të performoj si solist në shtete siç janë, Gjermania, Italia, Franca…
Sa mendoni që vlerësohen operat në vendin tonë?
Granit Musliu: Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk kemi Teatrin e Operës, duke lënë kështu një zbrazëti të madhe në zhvillimin e muzikës operistike në Kosovë, por që çdo vit e më shumë përmes koncerteve vokale dhe instrumentale të Filarmonisë së Kosovës dhe koncerteve të tjera, vërehet interesimi i madh për të ndjekur dhe dëgjuar muzikën klasike.
A mund të përkufizosh punën tënde gjatë gjithë viteve me një fjali?
Granit Musliu: Nëse më duhet të përkufizoj punën time gjatë viteve, atëherë do të thosha se: Dedikimi i madh ndaj synimeve të mija, ka qenë dhe është kyç, që çdo gjë të realizohet dhe të vlerësohet në nivele të larta.