Kryetari i Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi, ka thënë se presin që të udhëtojnë drejt Parisit me 10 sportistë për Lojërat Olimpike që do të mbahen atje vitin e ardhshëm.
Në një intervistë për Klankosova.tv, ai ka potencuar se viti që po lëmë pas shënoi arritje të mëdha në sport, duke veçuar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Prishtinë në vitin 2030.
“Viti i ardhshëm (2024), ndryshe njihet edhe si viti olimpik, ku na presin Lojërat Olimpike Paris 2024. Momentalisht kemi pesë xhudistë që janë brenda normës Olimpike, por presim që normën ta fitojnë edhe boksierë dhe sportistë tjerë, dhe drejt Parisit të udhëtojmë me 9 ose 10 sportistë. Synimet janë të kthehemi sërish me medalje olimpike nga xhudoja, por jo vetëm, sepse pritshmëritë janë që edhe nga boksi të fitojmë medalje”, ka thënë Krasniqi.
I pari i KOK-ut, tregoi se gjatë vitit 2023 kanë ndarë 62 bursa olimpike për sportistë elitarë dhe të rinj, pesë bursa për trajnerë, duke nisur nga 150 euro deri në 1300 euro në muaj.
Intervista e plotë:
Viti 2023 shënon shumë të arritura në fushën e sportit. Cila është ajo që veçoni më shumë?
Ismet Krasniqi: Edhe viti 2023 shënoi suksese të ndryshme në sport, nisur nga sportistët, të cilët shkëlqyen në arenën ndërkombëtare, klubet, por edhe kombëtaret, kryesisht tek vajzat dhe grupmoshat e reja. Mirëpo, padyshim, këtë herë krahas rezultateve duhet të krenohemi me marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një arritje historike që pakkush ka besuar se mund të ndodh në një kohë kaq të shkurtër.
Vitin që po lëmë pas, cili nga sportet shënoi më shumë ngritje dhe cili ulje?
Ismet Krasniqi: Shumica e sporteve kanë shënuar ngritje, sidomos me rezultate ndërkombëtare, edhe pse tek disa sporte, suksesin më të madh janë duke e arritur me grupmosha të reja, si taekwondo, që së fundi fitoi medaljen Evropiane U-21, por edhe boksi që fitoi dy të tilla dhe ishte afër edhe me Donjeta Sadikun në Lojërat Evropiane Krakow 2023. Padyshim, xhudoja mbetet sporti më i suksesshëm dhe këtë e dëshmuan edhe në vitin që po lëmë pas, duke fituar katër medalje në Kampionatin Evropian në Montpellier dhe po aq në Evropianin e Hapur në Prishtinë. Pastaj medalja e bronztë e ekipit të karatesë në Kampionatin Botëror, janë rezultate që duhet vlerësuar. Klubi i Futbollit Ballkani përfaqësoi sërish futbollin tonë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, si dhe suksese tjera.
Nga koha kur jeni në drejtimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, cili është momenti që nuk do e harroni?
Ismet Krasniqi: Ka shumë momente të mira, por padyshim arritjet e këtij viti si zyrat e reja, ku kemi krijuar hapësirë shumë më të mirë pune, memorandumi i nënshkruar "Balkan Cooperation 5" me KO të Francës dhe shtetet fqinje, marrja e organizimit të Platformës Evropiane të Sportit 2024, por sigurisht që momenti më i veçantë dhe data më e rëndësishme mbetet 8 shtatori 2023, kur një punë efektive, një sfidë e madhe dhe lobim i fuqishëm u konkretizua me fitoren e madhe, organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Momenti i veçantë është edhe marrëveshja e re me sponsorin BKT Kosova, në vlerë 3 milionë euro për 10 vjet dhe vizita e presidentit të Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos në Kosovë.
Çfarë bashkëpunimi keni me federatat në kuadër të sporteve?
Ismet Krasniqi: Bashkëpunimi me federatat është në nivelin më të lartë. Vetëm gjatë vitit 2023, kemi ndarë 62 bursa olimpike për sportistë elitarë dhe të rinj, pesë bursa për trajnerë, duke nisur nga 150 euro deri në 1300 euro në muaj. Pastaj, në shërbim të federatave kemi pasur tre kombi-busë, të cilët janë shfrytëzuar nga shumica e federatave për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare dhe organizime të garave të ndryshme në Kosovë, si dhe mbështetje tjera të organizimit të kurseve për trajnerë dhe administratorë sporti, përmes Akademisë Olimpike.
Përveç Lojërave Mesdhetare, a do të ketë ndonjë aplikim në ndonjë ngjarje tjetër në vitin 2024?
Ismet Krasniqi: Në tashmë kemi fituar edhe organizimin e Platformës Evropiane të Sportit 2024, ku në vendin tonë do të vijnë rreth 40 përfaqësues të shteteve të Evropës, ndërsa sa i përket federatave sportive, kemi organizime të ndryshme nga sportet ekipore, por edhe ato individuale.
Si Komitet Olimpik, ku do t’i keni sytë në vitin e ardhshëm?
Ismet Krasniqi: Viti i ardhshëm (2024), ndryshe njihet edhe si viti olimpik, ku na presin Lojërat Olimpike Paris 2024. Momentalisht kemi pesë xhudistë që janë brenda normës olimpike, por presim që normën ta fitojnë edhe boksierë dhe sportistë tjerë, dhe drejt Parisit të udhëtojmë me 9 ose 10 sportistë. Synimet janë të kthehemi sërish me medalje olimpike nga xhudoja, por jo vetëm, sepse pritshmëritë janë që edhe nga boksi të fitojmë medalje.
Për fund, gjithë sportistëve, trajnerëve, drejtuesve të federatave sportive, sportdashësve dhe juve gazetarëve sportivë, iu uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në realizimin e objektivave. /Klankosova.tv
●●●
LISHKRIMI NGA
L I
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.