Premiera e shfaqjes “inHUMAN”, me regji nga Zoltán Balázs do të jepet sonte në teatrin e qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”.
“inHUMAN” e prezanton Qendra Multimedia në bashkëpunim me Teatrin e qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu”, Maladype Theater (Hungari) dhe Mettrin Arts Center (Hungari).
Me dramaturgji nga Shpëtim Selmani dhe Jeton Neziraj, në këtë shfaqje luajnë aktorë: Alban Krasniqi, Beslidhje Bytyçi, dhe Hajat Toçilla.
Urgjenca për krijimin e InHUMAN rëndon në aktualitetin e mprehtë të temave që trajton shfaqja: realitetet tronditëse të luftës dhe konflikteve të armatosura, si dhe fatet individuale dhe kolektive të atyre që mbeten të ngujuar në izolim.
Shfaqja ngre pyetje thelbësore për kohën tonë: A mund arti të ndikojë mbi brutalitetin dhe pamëshirën njerëzore, dhe nëse po, si? Cilat forca e ushqejnë çnjerëzimin e botës sonë? Si mundet njerëzimi t’i rezistojë barbarisë dhe shkatërrimit kulturor? Dhe në ç’mënyra mund të triumfojë dhembshuria mbi çnjerëzoren?
InHUMAN fton publikun në një përballje me këto dilema dhe në një reflektim mbi fuqinë e artit si një forcë për empati, qëndrueshmëri dhe rikthim të humanitetit tonë të përbashkët.
Përveç në Kosovë, shfaqja do të jepet në gjuhën shqipe më 04 tetor 2025, në Mettrin Arts Center në Hungari. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.