Një disfatë të tillë, kalifornianët nuk e kishin pësuar ndonjëherë, as në 18 sfidat e luajtura pa LeBron Jamesin, i konsideruar me meritë “mbreti” i basketbollit amerikan. Me më të fortin nga të gjithë në parket, Lakers fundosen në Indianapolis nga Pacers, me këta të fundit që arrijnë fitoren e tretë radhazi pa më të mirin e tyre, Victor Oladipo.
Një rezultat shqetësues për Lakers, aq sa është ende e vështirë të besohet një diferencë e tillë, mes një skuadre të lëkundur nga zërat e merkatos në kërkim të qartësive, të cilat nuk i ka gjetur as te LeBroni (18 pikë, 7 topa në tabelë dhe 9 asiste në vetëm 30 sekonda), dhe Indianës, që pas tronditjes së pësuar nga dëmtimi i tmerrshëm i njeriut simbol të tyre, e rigjen veten përmes lojës së grupit.
Në atë që mund të konsiderohet si fitorja më e mirë sezonale në një ndeshje të luajtur perfekt nga fillimi në fund, e që praktikisht ishte mbyllur që në pushim, Pacers panë plot 7 lojtarë të regjistronin statistika dyshifrore, duke “keqtrajtuar” kundërshtarët me një supermbrojtje dhe duke transformuar në 33 pikë, 19 topat e humbur nga kalifornianët.
Kjo disfatë e Lakersave është shumë domethënëse. Tashmë, skuadra e Walton lundron në ujëra të turbullta, me 27 fitore e 27 humbje, rekordi më i keq prej 10 nëntorit, duke u renditur në vendin e 10 në Konferencën e Perëndimit dhe gjithnjë e më larg nga “play off”-et, ndërkohë që 15 nga 28 përballjet e fundit do t’i luajë jashtë impiantit të vet.
https://www.youtube.com/watch?v=fGtPJtRZICc
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.