Lajmet e fundit

Ditë më parë, Komisioni i Garave në Albi Mall Superligën e Kosovës, kishte inicuar masa disiplinore ndaj akterëve që nuk u sollën konform rregullave të FFK-së, në xhiron e katërt. Në fokus ishte ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e fituar nga vendasit me rezultat 3-2, njofton Klankosova.tv.
Sipas FFK-së, nikoqiri bëri lëshim në organizim.
“Gjatë gjithë ndeshjes lejohen disa persona të qëndrojnë prapa bankinës mysafire të cilët ofendojnë dhe pengojnë në kryerjen e detyrës kreytrajnerin e ekipit mysafir. Në min 3 dhe 65 shikuesit vendas “Plisat“, hedhin mjete piroteknike brenda rrethojave të fushës. Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina -Llapi”, thuhet në vendimin e komisionit të garave.
Por sipas këtij organi të FFK-së edhe më të shumta janë shkeljet e klubit mysafir, duke nisur nga veprimet e trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës.
Poashtu, sipas masave të Komisionit të Garave në Albi Mall Superligën e Kosovës, përmendet edhe ekonomi i KF Llapit, Besart Hoti, i cili thuhet se pas përfundimit të pjesës së parë ka kaluar rrethojat e stadiumit dhe është futur në fushën e lojës, në drejtim të gjyqtarëve ofendon dhe kërcënon, për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt edhe pse nuk ishte i evidentuar në protokolin zyrtar të ndeshjes, raporton Klankosova.tv.
KF Llapi, sipas KG të FFK-së, bëri shkelje edhe pas ballafaqimit të skuadrave.
“Pas përfundimit të ndeshjes lëshon komunikatë për media, përmes së cilës akuzon gjyqtarin kryesor Genc Nuza, e ofendon dhe kërcënon të njëjtin se nuk do t’i ofrojnë siguri nëse delegohet në ndeshjet kur KF “Llapi“ i zhvillon ndeshjet në Podujevë”, thuhet në vendim. /Klankosova.tv