Lajmet e fundit

Kalimi nga piktura në skulpturë për artisten Albana Ejupi nuk është një shkëputje, por një shtrirje e natyrshme e gjuhës së saj artistike, puna e së cilës karakterizohet me beton, gurë dhe rërë. E njohur për punën e saj të fuqishme dhe të guximshme, ajo ka lëvizur drejt një territori të ri, aty ku sipërfaqja e pikturës merr formë dhe trupi fiton një prani të plotë në hapësirë.
Kjo ekspozitë prek temën e feminizmit që është një reflektim për identitetin, përkohshmërinë, përkatësinë dhe shpërbërjen.
“In Between” është një ftesë për të qëndruar aty ku zakonisht ndihemi të pasigurt, në hapësirat kalimtare, në identitetet e përziera, në kujtesën që nuk është as plotësisht e kaluar dhe as tërësisht e tashme.
Veprat tjera të artistes janë aktualisht duke u prezantuar për publikun në Düsseldorf të Gjermanisë, në ekspozitën kolektive në galerinë e artit Burkhard Eikelmann Galerie. Më pas, në nëntor punimet e saj artistike do të ekspozohen në Hong Kong, në panairin e artit “The Art Austria Highlights Hong Kong”, duke shënuar paraqitjen e saj të parë në Azi./Klankosova.tv