4.12 milionë megavat/orë energji elektrike pritet të shpenzohen gjatë dimrit në Kosovë, sipas parallogaritjeve të qeverisë. Prej këtyre, KEK mund të prodhojë vetëm 3.2 milionë megavatë. Pjesa tjetër do të blihet. Dhe nuk pritet të kushtojë lirë.
"Kosova do të ketë nevojë për të importuar 728 mijë megavat/orë energji elektrike që pritet të kushtojnë rreth 316 milionë euro", deklaroi të enjten ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përcjell Klan Kosova.
Por ajo nuk tregoi të enjten kush, si dhe sa do ta mbulojë pjesën e munguar të energjisë. Madje tha që ende s'është e sigurt se sa do të jetë e gatshme qeveria ta subvencionojë importin.
Sipas saj, qeveria do t'i subvencionojë familjet që blejnë pajisje efiçiente për kursim rryme.
"Kaldarët me biomasë – dru, pelet, briket që do të subvencionohen në masë deri në 70 për qind të vlerës së investimit apo 1200 euro, pompat termike që ulin 30 për qind të konsumit të energjisë do të subvencionohen deri në 2500 euro, kondicionerët efiçientë deri në 40 për qind apo 400 euro", janë disa prej masave që u prezantuan në konferencën e së enjtes.
Përmes kësaj pritet të ndihmohen rreth 10 mijë familje, ndërsa kjo i kushton shtetit 6 milionë euro teksa thuhet se energjia që kursehet ka vlerë të dyfishtë.
Rizvanolli u arsyetua se kjo ka qenë ndihma më e realizueshme në këtë kohë, pavarësisht se banorët e ndërtesave kolektive që ngrohen vetëm me rrymë, sërish mund të përballen me reduktime.
Sivjet qeveria nuk ka paraparë subvencion për izolimin e jashtëm të shtëpive, gjë për të cilën thirri vetë ministrja ditë më parë.
https://www.youtube.com/watch?v=m3NN4fRD9iA
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.