Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka treguar se si e sheh arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.
Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se mund të ekzistojnë dy opsione kur të arrihet kjo marrëveshje. Sipas tij, njëri version mund ta ketë brenda ndonjë asociacion, tjetri shkëmbim të territoreve.
"Unë mendoj se marrëveshja përfundimtare do të varet se çfarë pozicionimi do të ketë Serbia në këto zhvillimet e reja gjeopolitike, a do të jetë më afër perëndimit, apo do të vazhdojë të jetë edhe afër Rusisë, edhe afër perëndimit. Nëse do të ketë një kthim të Serbisë, do të thotë drejt, edhe si një vend potencial për anëtarësim në NATO, atëherë marrëveshjen unë e shoh përmes një asociacioni. Por, nëse do të ketë vija ndarëse të sferave të interesit, atëherë do të ketë shkëmbim të territoreve. Sepse në këto raste, nuk ke më analizë të vlerave demokratike dhe liberale", ka thënë Ibrahimi.
Opinionisti komentoi edhe për situatën e krijuar në Rusi-Ukrainë, derisa potencoi se Moska nuk është se ka vendosur për tre muaj të ketë këtë qëndrim që ka tani, sipas tij, ata janë përgatitur për vite të tëra.
"Në situatën e tanishme, perëndimi është më i përçarë. SHBA-ja është më e avancuara, por nuk është se ka konsensus që të ketë një qasje më të fuqishme. Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk mendoj se është i gatshëm të tërhiqet nga kërkesat e tij", ka thënë Ibrahimi, njofton Klankosova.tv.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.