E kam një vajzë dhe asaj i dëshiroj të gjitha ato që një baba dëshiron për të bijën e tij: të jetë e lirë, e suksesshme, e pavarur dhe e respektuar.
Dua një botë në të cilën askush nuk do të vë ndonjë pengesë para saj për shkak të gjinisë së saj, një botë ku ajo mund të zgjedh rrugën e saj pa frikë e pa paragjykime. Por, unë kam edhe një djalë. Dhe për të, dëshiroj po të njëjtën gjë. Që ai të rritet në një burrë i cili qëndron lart, dashuron me butësi, është i përgjegjshëm dhe i guximshëm. Megjithatë, ndërsa bota ka filluar të hapë dyert për vajzën time, po i mbyll ato në heshtje për djalin tim. Dhe ne duhet të flasim për këtë.
Ky tekst nuk është kundër grave. Përkundrazi. Është për ekuilibrin. Dhe për të kuptuar se emancipimi i një grupi nuk do të thotë shtypje e një tjetri. Por, nëse duam një shoqëri ku të gjithë mund të marrin frymë lirshëm, duhet të pranojmë se diku gjatë rrugës, i kemi harruar djemtë. Djemtë tanë.
I lamë në një boshllëk edukativ. Ndërsa inkurajuam vajzat të jenë të sigurta, të zëshme, të suksesshme dhe të lira, u hoqëm djemve gjithçka që dikur konsiderohej mashkullore: konkurrencën, vendosmërinë, ambicien. Me kujdes iu hoqëm skajet e ashpra, por nuk vendosëm kufij të rinj. I mësuam si të mos jenë të rrezikshëm, por jo si të jenë të fortë. U thamë të mos jenë të dhunshëm, por nuk ua treguam si të jenë mbrojtës. Folëm për privilegjet e tyre, por jo për çfarë të bëjnë me to. Nuk u dhamë as drejtim, as kuptim. Dhe tani çuditemi se pse janë të humbur.
Sistemi arsimor, gjithnjë e më shumë i fokusuar në shprehjen verbale, përshtatjen, ndjeshmërinë emocionale dhe bashkëpunimin, në mënyrë stereotipizuese favorizon vajzat “e mira”, por i braktis djemtë. I lavdërojmë vajzat për përkushtimin, ndërkaq djemtë i etiketojmë për çrregullimet që kanë me vëmendjen. Ky stereotipizim i dyfishtë i dëmton si djemtë, ashtu edhe vajzat. Gjithnjë e më shumë të rinj po tërhiqen nga arsimi, puna dhe marrëdhëniet. Shumë prej tyre nuk dinë si të duan, të punojnë apo të besojnë në vetvete. Dhe kur shikojnë përreth, nuk arrijnë më të gjejnë vendin se ku ata takojnë. Nuk dinë si të jenë burra që nuk janë as grabitqarë e as humbës.
Ky ndjesi e humbjes nuk është vetëm çështje shoqërore, është një plagë psikologjike. Statistikat tregojnë se djemtë dhe të rinjtë janë ndër grupet më të rrezikuara sa i përket shëndetit mendor. Kanë më pak qasje në ndihmë, kërkojnë më rrallë mbështetje, por udhëheqin në shkallët e vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje. Ankthi, depresioni, ndjesia e mungesës së kuptimit dhe vetmia janë bërë shoqërues të vazhdueshëm të një brezi që nuk gjen gjuhë për të shprehur shqetësimin - dhe nuk gjen një shoqëri që është e gatshme ta dëgjojë.
E kemi feminizuar plotësisht arsimin dhe shërbimet mbështetëse. Sot, mësuesit, psikologët shkollorë, logopedët dhe këshilltarët janë pothuajse të gjitha gra. Nuk ka asgjë të keqe në këtë, por sistemi nuk ka ekuilibër. Personalisht, kam shkuar më mirë mësuesit meshkuj sepse më kuptonin si djalë, jo si një vajzë e pakompletuar. Djali im, si në shkollën fillore ashtu edhe në atë të mesme, shpesh ishte objekt i vlerësimeve të padrejta, megjithëse të mira në qëllim, nga psikologe dhe logopede (sic!), që e “trajtonin” sepse ishte i zhurmshëm, kishte idetë e tij dhe donte t’i diskutonte ato. Me pak fjalë, sepse nuk ishte ai që ato e konsideronin më të lehtë për t’u menaxhuar, “vajza e mirë e vogël”, që është bërë ideali i sistemit arsimor. Një sistem që nuk i toleron dallimet, nuk është gjithëpërfshirës, por është shtypës. Ai nuk ndëshkon dhunën; ndëshkon devijimin.
Një djal që e gjen vetën në një sistem të tillë, nuk e ka të lehtë rrugëdaljen. Mund të vazhdoj rrugëtimin e tij. Mund të thyehet.
Ose, mund të kërkoj alternativa të “role models”.
Kështu ngritët fenomeni i Andrew Tate. Edhe pse është shumë problematik - seksist, narcisist dhe në shumë mënyra i rrezikshëm - në thelb ai është një simptomë, jo një shkak. Një reagim ndaj boshllëkut që vetë e kemi krijuar. Ne jemi ata që kemi lënë një brez djemsh pa modele, pa strukturë, pa kuptim. Në klasa u themi se gjinia nuk ekziston, se identiteti është thjesht një konstrukt shoqëror dhe se çdo ditë mund të zgjedhin serish kush dhe çfarë janë. Se të jesh burrë është diçka e dyshimtë, se partneritetet tradicionale janë të vjetruara dhe se dallimi mes gjinive është një paragjykim i kushtëzuar kulturor.
Ndërkohë, në internet, dikush, më në fund, u thotë se të jesh burrë ende ka kuptim. Se mashkullorja nuk është një sëmundje. Se guximi, vendosmëria, forca fizike, instinkti mbrojtës dhe dëshira për arritje nuk janë mbetje të turpshme të patriarkatit, por cilësi me domethënie të vërtetë.
Dhe atje, në atë boshllëk digjital, vetëm me kufje në vesh, për herë të parë ai dëgjon diçka që tingëllon si e vërtetë. Që tingëllon si strukturë. Si një përgjigje. Jo domosdoshmërisht ajo e duhura - por të paktën një përgjigje. Ndërkohë që në shkollë, në media dhe në institucione, atij i thuhet gjithçka që nuk duhet të jetë dhe si duhet të heshtë, dikush shfaqet që i jep leje thjesht të ekzistojë.
Nuk ka asgjë të keqe që një djalë ta dojë një vajzë dhe anasjelltas. Seksualiteti nuk është dhunë, por diçka e bukur. Erosi nuk është mëkat, por shprehje e lidhjes, intimitetit dhe besimit. Por nëse i mësojmë të rinjtë se seksi është i rrezikshëm, se tërheqja është e dyshimtë dhe se çdo instinkt është dëshmi e dhunës së brendshme, do të rrisim një brez që ose do ta shtypë veten, ose do të shpërthejë. Nuk do të krijojmë marrëdhënie të shëndetshme, njerëz apo fëmijë të lumtur.
Vlerat që ofron Tate janë të rrezikshme. Por gjithashtu është e rrezikshme që në shoqërinë tonë pothuajse askush nuk po ofron një version alternativ të mashkullores - një që është njëkohësisht i fortë por dhe i përgjegjshëm, i vendosur dhe i ndjeshëm.
Është e rrezikshme që kaq shpejt jemi dorëzuar nga atësia si model, nga autoriteti si mbështetje, dhe nga mashkullorja si vlerë.
Është e rrezikshme që në përpjekjen për drejtësi, jo vetëm që kemi harruar për djemtë tanë, por kemi harruar çfarë do të thotë të jesh burrë i rritur.
Boshllëkun simbolik që kemi krijuar po mbushet nga kultura pop. Dhe ndonjëherë ajo pasqyron pikërisht humbjen që pretendon ta mohojë. Një nga paraqitjet më pikatëse të këtij boshllkëku është seriali televiziv Adolescence. Në të ndjekim Jamie Miller, një djalosh 13-vjeçar i qetë dhe i vetmuar, i arrestuar nga policia nën dyshimin për vrasjen e shoqes së klasës, Katie Leonard.
Jamie është në kërkim të përkatësisë dhe kuptimit, të cilat nuk i gjen as në shtëpi dhe as në shkollë, dhe kështu tërhiqet në internet - në cepat e errët të komuniteteve incel dhe forumeve mizogjene. Seriali, me ndjeshmëri të jashtëzakonshme, tregon si bota digjitale ofron një strehë të rreme, që në fund e kthen humbjen e djalit në tragjedi. Historia gjithashtu thellohet në dinamikën familjare, duke treguar se si prindërit, mësuesit dhe institucionet, ose nuk kanë mundur, ose nuk kanë dashur të dëgjojnë thirrjen për ndihmë.
Seriali Adolescence nuk është thjeshtë një pasqyrë – është një paralajmërim. Dhe nuk është rastësi që institucioni i BBC-së, që dikur formësoi breza të tërë, e refuzoi atë. Në vend të saj, Netflix — një platformë transmetimi më pranë realitetit, e lidhur me pulsin e botës së vërtetë e përzgjodhi atë. Ndërsa sistemet tradicionale heshtin ose shmangin temat e ndjeshme, Netflix hap hapësirë për diskutim mbi atë që ndodh nën sipërfaqe.
Nëse ne nuk e ridimensionojmë çfarë do të thotë të jesh burrë - dhe grua - atëherë gjinia dhe identiteti do të mbeten një plagë e hapur. Nëse nuk e rikthejmë drejtimin, djemtë do të ikin drejt atyre që të paktën shtiren se e ofrojnë.
Kështu që, ne – baballarët, mësuesit, liderët – duhet të gjejmë së pari ekuilibrin tonë. Të bëhemi modele për tu ndjekur, jo ndëshkime. Të jemi mbështetës, jo hije. Dhe, të fillojmë të flasim sërish për kurajon, disiplinën, lojalitetin, përgjegjësin dhe mbrojtjen. Jo si privilegje, por si detyra tona. Jo si mjete të dominimit, por si kushte për besim.
Sepse, ashtu siç historia na mëson dhe alegoritmi i sotshëm na e konfirmon – ku asgjë nuk është e vertetë më, gjithçka bëhet e lejueshme.
Botuar fillimisht në gjuhën kroate në portalin www.sest.hr